LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti Evropian informohet për vrasjen e gazetarit sllovak

Parlamenti Evropian informohet për vrasjen e gazetarit sllovak

Vrasja e gazetarit sllovak, Jan Kuciak ka shkaktuar valë zemërimi në të gjithë Evropën. Tani po bëhet aktiv edhe Parlamenti Evropian. Një delegacion i tij shkon këtë javë në Sllovaki për të mbledhur informacione.

Pas vrasjes së gazetarit sllovak, Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova, kreu i qeverisë sllovake po gjendet gjithnjë e më shumë nën presion. Vrasja e gazetarit ka shqetësuar institucionet europiane për gjendjen e lirisë së shtypit në një vend anëtar të BE. Tetë parlamentarë të Parlamentit Evropian udhëtojnë nga e mërkura deri të premten në Sllovaki për të mbledhur të dhëna dhe informacione mbi vrasjen e gazetarit, shkruan gazeta gjermane ‘Welt am Sonntag’, përcjell Telegrafi, duke u bazuar në qarqe të BE. Kreu i PE-së, Antonio Tajani kishte bërë më parë publike marrjen e një vendimi për të dërguar një ekip hetues në vend.


Gjendet i vdekur gazetari sllovak së bashku me të dashurën e tij
Lexo po ashtu Gjendet i vdekur gazetari sllovak së bashku me të dashurën e tij

Anëtar i delegacionit të BE është edhe eurodeputeti gjerman i Të Gjelbërve, Sven Giegold. Për ‘Welt am Sonntag’ ai u shpreh se Parlamenti Evropian nuk duhet të “shohë duarkryq rrënimin e shtetit ligjor dhe lirisë së shtypit” në vendet anëtare të tij. Aktualisht presione po i vijnë qeverisë së kryeministrit sllovak, Robert Fico edhe nga partneri i koalicionit, Most Hid. Më 12 mars kjo parti do të zhvillojë konsultime për dhënien fund të bashkëpunimit me partinë e kryeministrit Robert Fico. Most Hid kishte kërkuar largimin e Ministrit të Brendshëm pas vrasjes së gazetarit, Jan Kuciak. Fico ndërkohë po akuzon opozitën, se po e përdor vrasjen e Kuciak si ‘armë politike’. /Telegrafi/