Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga projekti fitues për ndërtimin e Parkut të Besimit.

Projekti është realizuar nga studioja me famë botërore BIG (Bjarke Ingels Group), që u shpall fitues të dielën pas një gare ku morën pjesë dymbëdhjetë kompani ndërkombëtare.


Rama në postimin e tij në rrjetet sociale thekson se me ky projekt i shton vendit tonë një tjetër destinacion unik të arkitekturës ndërkombëtare dhe jo vetëm.

Në finale për projektin u zgjodhën dymbëdhjetë studio arkitekturore ndërkombëtare nga Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Danimarka, Gjermania, Spanja, Meksika, Belgjika, Holanda dhe Italia. Nga dymbëdhjetë kompanitë finaliste, u përzgjodhën pesë dhe në fund, juria zgjodhi fituese kompaninë daneze “Bjarke Ingels Group”.

Kryeministri i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar për shpalljen e fituesit, tha se procesi ka qenë “deri tani është më kompleksi, më emocionali dhe më i ndërlikuari”.

Kryeministri theksoi dëshirën për të realizuar më shumë parqe të ngjashme në të ardhmen dhe vlerësoi lart kontributin e të gjithë konkurrentëve.

Parku i Besimit, i konceptuar si një hapësirë simbolike e bashkëjetesës fetare dhe harmonisë kulturore, pritet të jetë një vepër ikonike që do të pasurojë peizazhin dhe identitetin shpirtëror të vendit. Projekti është vlerësuar për qasjen e tij gjithëpërfshirëse, inovative dhe për mënyrën si i jep jetë bashkëjetesës midis natyrës, njeriut dhe besimeve.

Parku i Besimit pritet të kthehet në një nga pikat më të rëndësishme të promovimit të bashkëjetesës dhe diversitetit në Shqipëri, duke pasqyruar vlerat unike të tolerancës ndërfetare që e karakterizojnë vendin tonë. /Telegrafi/