LAJMI I FUNDIT:

Parashikimet për botën në vitin 2024

Parashikimet për botën në vitin 2024
Ilustrimi: Ellie Foreman-Peck / FT

Nga: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Ekipi i Financial Times i shikuesve të topit të kristaltë, vitin 2023 e kishte si vitin më të mirë, për ca kohë, meqë [vjet] dha vetëm tri përgjigje të gabuara – megjithëse këto i kemi pranuar si goxha të gabuara. S&P 500 [indeksi i bursës i 500 kompanive më të mëdha amerikane – shën. i Telegrafit] nuk ra me më shumë se 10 për qind, por u rrit me mbi 20 për qind (megjithëse kjo u nxit kryesisht nga aksionet e vetëm shtatë kompanive të teknologjisë). Evropa nuk përjetoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, megjithëse thamë se kjo do të ndodhte vetëm në një dimër shumë të ftohtë (nuk ishte i tillë). Dhe, nuk ia qëlloi shumë me Afrikën, megjithëse këtë javë po me Etiopinë.


Për botën flet shumë fakti se, për të tretin vit radhazi, i shtrojmë pyetjet mbi luftën ose veprimet ushtarake të vitit – midis Izraelit dhe Hamasit, Rusisë dhe Ukrainës dhe ndoshta mes Kinës dhe Tajvanit. Vendimet më të mëdha duken gjithnjë e më të vështira për t’u marrë. Por, në pyetjen që më shumë se çdo tjetër e sugjeroi stafi i FT-së – a do të jetë Donald Trump president? – Edward Luce pranoi të sprovohej me supozimin e tij më të mirë. Lexoni për të kuptuar!

Neil Buckley

A do të bëhet Donald Trumpi sërish president i ShBA-së?

Jo. Por, duke supozuar se janë kapërcyer pengesat e fundit ligjore të ngritura kundër Trumpit në Kolorado dhe në Mejn, fushata e tij kundër Joe Bidenit do të paraqes zgjedhjet më të shëmtuara presidenciale në historinë e ShBA-së.

Do të jetë garë shumë e ngushtë. Trumpi do të dënohet penalisht në të paktën një nga katër gjyqet e tij apo ndoshta dy – përpara zgjedhjeve – dhe do ta paraqesë këtë si persekutim politik nga “familja Biden e krimit”. Edhe pse dukshëm i mplakur, Bideni do t’ia dalë mbanë për faktin se pjesa më e madhe më me qejf e refuzon Trumpin sesa të mos e miratojë një mandat të dytë të Bidenit.

Edward Luce

A do ta tejkalojë e 2024-ta të 2023-ën si viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë?

Po. Viti 2023 u shënua nga shumë ekstreme të nxehtësisë përvëluese, saqë me siguri se do të rezultojë të jetë më i nxehti në 174 vitet e rekordeve klimatike – pasi të jenë vendosur shifrat përfundimtare.

Por, shumë shkencëtarë presin që viti 2024 të jetë edhe më i ngrohtë, sepse nxehtësia e vitit 2023 u forcua nga shfaqja e modelit klimatik të El Niño-s që natyrshëm ndodh. Në temperaturat globale, kjo zakonisht e ka efektin më të madh pasi e arrin kulmin – gjë që mund të ndodhë deri në janar 2024.

Pilita Clark

A do të eskalojë lufta Izrael-Hamas në një konflikt rajonal?

Jo. Lufta ka shkaktuar dhunë në të gjithë rajonin, duke përfshirë grupet militante të mbështetura nga Irani. Shqetësimi më i madh është se përleshjet kufitare midis Hizbollahut – lëvizjes së fuqishme libaneze – dhe forcave izraelite do të spiralizohen në një konflikt më të gjerë.

Qeveria e Benjamin Netanyahut e ka kuptuar se nuk mund të jetojë më me luftëtarët e Hizbollahut në kufirin Liban-Izrael, por ekziston shpresa se presioni diplomatik do ta frenojë situatën.

As Uashingtoni dhe as Teherani nuk e duan një konflikt më të gjerë rajonal – edhe nëse luftimet mes Hizbollahut dhe Izraelit intensifikohen – por, situata është jashtëzakonisht e paqëndrueshme.

Andrew England

A do ta pësojë ShBA-ja “rënien e lirë”?

Po, në afat të shkurtër. Inflacioni këtë vit ka rënë në mënyrën që ka habitur edhe Rezervën Federale, ndërsa rritja ka mbetur më e fortë sesa prisnin shumica e ekonomistëve.

Meqenëse shpenzimet konsumatore mbeten të forta dhe rritja e pagave (mjaft) e kontrolluar, “rënia e lirë” [ngadalësimi i rritjes ekonomike në një shkallë të pranueshme në raport me inflacionin dhe papunësinë] mund të vazhdojë për disa muaj. Por, mos vini bast se do të zgjasë gjatë gjithë vitit 2024. Do të ketë më pak mbështetje fiskale, pasi për familjet janë konsumuar dhurimet nga koha e koronavirusit. Normat më të larta të interesit po nxisin falimentimet, po shtohet shqetësimi për borxhin e ShBA-së dhe stresi gjeopolitik po copëton tregtinë globale. Kjo mund të rrisë inflacionin dhe të ngadalësojë rritjen. Pra, brenda një viti, rënia ndoshta do të bëhet më e dhimbshme.

Gillian Tett

A do të bëhet Keir Starmer kryeministër i Britanisë së Madhe?

Po, megjithëse është e mundur që zgjedhjet në Mbretërinë e Bashkuar të mos ndodhin deri në janar 2025. Konservatorët e Rishi Sunakut duken të ndarë dhe të rraskapitur.

Numri i vendeve që duhet të fitojë opozita laburiste do të thotë se ajo mund të arrijë diku mes një qeverie të pakicës dhe të margjinave – për të cilat aktualisht flasin sondazhet e opinionit. Por, është jashtëzakonisht e vështirë të dihet se si kryeministri mund të marrë mbështetjen e mjaftueshme për të mbajtur pushtetin.

Robert Shrimsley

A do të bie rritja ekonomike e Kinës në tre për qind ose më pak?

Jo. Cilësia e rritjes kineze sigurisht që është përkeqësuar në vitet e fundit. Tregu i pronave, i cili kontribuon pothuajse me një të tretën e prodhimit të brendshëm bruto, ngadalë po shpërthen. Shumë qeveri vendore janë zhytur në borxhe. Konsumatori kinez është në mëdyshje.

Por, rritja e PBB-së për vitin 2024 është përcaktuar të kalojë lehtësisht katër përqindëshin – e ndihmuar kjo nga laramania e pakove për shpëtim nga borxhi, nismave stimuluese fiskale dhe formave të tjera të mbështetjes zyrtare. Përparimet teknologjike do të mbeten të forta.

James Kynge

A do ta nxisë sulmin kinez, ndërrimi i presidentit në Tajvan?

Jo. Shumë njerëz brenda dhe jashtë Tajvani,t këto ditë po shqetësohen më shumë për luftën, kjo falë manovrave ushtarake të Kinës. Kandidati kryesor në zgjedhjet presidenciale të janarit, Lai Ching-te i Partisë Progresive Demokratike në pushtet, gjithashtu ka një sfond shumë të ndryshëm nga presidenti aktual Tsai Ing-wen.

Por, Lai ka qenë i qartë se do të ndjek qëndrimin e kujdesshëm të politikës së Tsait për Kinën – duke e lënë Pekinin pa pretekst për ndonjë sulm. Udhëheqja kineze nën presidentin Xi Jinping, duket se ende beson se ka një shans për ta detyruar Tajvanin që të bashkohet pa luftuar, duke e shtuar frikësimin ushtarak, infiltrimin politik, joshjet ekonomike dhe izolimin ndërkombëtar.

Kathrin Hille

A do të vazhdojnë ShBA-ja dhe BE-ja të financojnë Ukrainën?

Po. Teksa kundërofensiva e Ukrainës kundër pushtimit rus ngeci në fund të vitit 2023, mbështetja ushtarake dhe financiare për Kievin u bë çështje e diskutueshme në të dy anët e Atlantikut. Administrata e Bidenit është e vendosur të mbajë rrjedhjen e furnizimeve: një marrëveshje me republikanët në Kongres mund të përfshijë koncesionet për sigurinë kufitare të ShBA-së, në këmbim të ndihmës së zgjatur për Ukrainën.

Sfida më e madhe do të lind nëse Donald Trumpi kthehet në Presidencë. Udhëheqësit e BE-së, në ndërkohë, duhet të gjejnë mënyra – që në fillim të vitit 2024 – për të anashkaluar veton e Hungarisë për pakon e ndihmës financiare prej 50 miliardë eurove. Por, Ukraina ende duhet të luftojë për të shënuar një përparim ushtarak, kështu që do të jetë nën presion të shtuar për të negociuar me Moskën.

Toni Berber

A do ta sigurojë Ursula von der Leyen një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian?

Po, me pak përpjekje. Ursula von der Leyen e ka arsyetuar mirë veten në një mandat të karakterizuar nga kriza, duke dëshmuar me vlerën e veprimit të përbashkët të BE-së në huamarrje, shëndetësi, shpenzimet për mbrojtjen dhe politikat e energjisë. Marrëveshja e saj e gjelbër evropiane, kryesisht ka qëndruar në rrugën e duhur.

Por, zakoni i saj për të krijuar politika me kryeqendrat dhe përafrimi i ngushtë me Uashingtonin, i ka mërzitur disa liderë. Koalicioni i saj i vitit 2019 është në rrezik nga fitoret e së djathtës populiste në zgjedhjet e Parlamentit Evropian. Por, partia e saj e qendrës së djathtë, EPP, është në pozicionin e poleve për të mbajtur presidencën – edhe nëse kjo nënkupton bashkëpunim më të ngushtë me partitë euroskeptike. Dhe, për momentin, askush nuk duket si kandidat më i fortë i PPE-së.

Martin Sandbu

A do të rrisë Banka e Japonisë, normat mbi zero?

Nr. 2024 do të jetë viti kur Banka Qendrore japoneze [BoJ] do të heq përfundimisht kontrollin e kurbës së huadhënies dhe normat negative të interesit. Megjithatë, në kundërshtim me pritjet e tregut për disa rritje të mëtejshme, normat do ta mbyllin vitin jo shumë më lart se zeroja.

Me rritjen mesatare të pagave, me një jen më të fortë në perspektivë teksa normat e ShBA-së arrijnë kulmin dhe me arsyet për të preferuar një kurbë më të pjerrët të huadhënies, BoJ nuk ka gjasa të vendosë një normë pozitive – edhe pse si me çdo parashikim të Bankës Qendrore, shumëçka varet nga të dhënat hyrëse.

Robin Harding

A do të bjerë vota e ANC-së nën 50 për qind në zgjedhjet e Afrikës së Jugut?

Po, shumë e thjeshtë. Pas 30 vjetëve në pushtet, Kongresi Kombëtar Afrikan [ANC] do të humbasë shumicën absolute – për herë të parë qëkur Nelson Mandela u bë president më 1994.

Imazhi i partisë është gërryer nga vitet e korrupsionit, paaftësisë dhe ofrimit të tmerrshëm të shërbimeve – të shoqëruar nga ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë. Në termat realë për kokë banori, ekonomia ka ngecur për 15 vjet. Në vitin 2019, nën presidentin Cyril Ramaphosa, vota e ANC-së ra në 57.5 për qind. Këtë vit do të bjerë sërish. Nëse shkon nën 50 për qind, gjë që ashiqare duket si e besueshme, do të ketë nevojë për partnerë koalicioni.

David Pilling

A do të dollarizojë Argjentina ekonominë e vet?

Jo. Disa do të argumentonin se argjentinasit e shumëvuajtur tashmë e kanë hedhur peson: kursejnë në dollarë dhe blejnë dhe shesin prona – jozyrtarisht – në dollarë.

Por, pavarësisht premtimeve të tij të fushatës për të dollarizuar ekonominë, presidenti i ri radikal libertarian i Argjentinës, Javier Milei, në masat e para ekonomike u përcaktua për luftimin e devalvimit.

Megjithëse ministri i tij i ekonomisë, Luis Caputo, këmbënguli se miratimi i monedhës amerikane mbetet synim afatgjatë, nuk ka gjasa të ndodhë në vitin 2024: FMN-ja nuk është entuziaste dhe shumica e ekonomistëve besojnë se humbja e sovranitetit ekonomik do të tejkalonte përfitimet.

Michael Stott

A do ta tejkalojnë qymyrin, në prodhimin global, burimet e rinovueshme të energjisë elektrike?

Jo. Teksa pjesa e gjenerimit të energjisë së rinovueshme pritet të kalojë qymyrin brenda disa viteve të ardhshme, nuk ka gjasa të ndodhë në vitin 2024 – kjo falë Kinës.

Kërkesa kineze për qymyr ka vazhduar të rritet me shpejtësi në vitin 2023, teksa burimet e rinovueshme po rriten gjithashtu me shpejtësi – gjë që pritet të përbëjnë rreth 90 për qind të të gjithë kapacitetit të gjenerimit të ri global – por, kjo nuk do të mjaftojë për të tejkaluar prodhimin e qymyrit gjatë vitit të ardhshëm, paçka që po bie përdorimi i qymyrit perëndimor.

Por, pika e kthesës nuk është larg. Gjëja vendimtare për klimën është kur oreksi i Kinës për qymyr më në fund merr një kthesë të kundërt.

David Sheppard

A do të kthehen investitorët te obligacionet?

Po. “Obligacionet janë kthyer” ishte basti më i madh në tregje për vitin 2023, por doli si dështim. Inflacioni i madh dhe rritja e pamëshirshme e normave të interesit bëri që, deri në tetor, indeksi i obligacioneve – The Bloomberg GlobalAgg – të bie me katër përqind, duke ringjallur kujtimet e viti brutal 2022 dhe duke irrituar investitorët e mëdhenj për të arritur çmimet më të lira.

Tashti, investitorët besojnë se një lloj ngadalësimi po vjen në ekonominë e ShBA-së, derisa efektet e vonuara të rritjes së normave të interesit më në fund do të futen në veprim. Me rënien e inflacionit dhe uljet e normave në horizont, obligacionet duken si bast më i sigurt.

Katie Martin

A do të falimentojë X-i?

Po. Elon Musku shpeshherë si motivim i përdor paralajmërimet e falimentimit; e bëri në Tesla dhe SpaceX. Por, këtë herë, me rënien e nivelit të reklamave në X dhe përpjekjeve për të krijuar burime të reja të të ardhurave, gjasat janë më të mëdha që kjo të ndodhë.

Pas reagimeve emocionale të kohëve të fundit kundër reklamuesve të X-it, ai mund të jetë mjaft i pamatur sa të mendojë se mund ta tejkalojë falimentimin dhe ende të jetë në krye. Musku që lufton për kontrollin e X-it nga falimentimi, do të jetë vazhdim tjetër interesant – si drama e blerjes së Twitter-it.

Richard Waters

A do të shkarkohet sërish Sam Altmani nga OpenAI-ja?

Jo. Sam Altman fillimisht e strukturoi kompaninë e tij në mënyrë që bordi i saj të kontrollonte një organizatë jofitimprurëse – të krijuar për dobi të njerëzimit. Ai tha se nuk kishte kapital në OpenAI dhe se bordi mund ta pushonte në çdo kohë.

Por, kur bashkëthemeluesi i Altmanit dhe tre anëtarë të pavarur të bordit e bënë pikërisht këtë në nëntor, ata përfunduan duke e rikthyer vetëm katër ditë më vonë.

Tashti, që të gjithë – përveç njërit nga bordi origjinal – janë larguar; Microsoft – partneri kryesor i OpenAI-së dhe mbështetësi më i madh financiar – do të ketë rol si vëzhgues, pa të drejtë vote në bordin e ri, ndërsa qeverisja e kompanisë do të rishikohet në mënyrë që ai të mos mund të vihet më në një pozicion të tillë.

Madhumita Murgia

A do të rihapen tregjet e kapitalit për IPO-të?

Po. Kompanitë mund të shtyjnë mbledhjen e fondeve vetëm për pak kohë dhe pas një rënieje në Wall Street bankierët duhet të gjejnë mënyrat për të zhvilluar më shumë aktivitete.

Tregjet e IPO-ve [Initial Public Offering] në ShBA dhe ato evropiane kanë qenë në agoni prej dy vitesh, por me normat e interesit që po arrijnë kulmin dhe me tregjet e aksioneve që janë kthyer pranë niveleve më të larta rekorde, më i ndritshëm duket mjedisi për të bërë marrëveshje.

Megjithatë, mos prisni një rikthim në furinë e mbledhjes së fondeve si më 2020 dhe 2021. Normat mund të jenë në rënie, por ato nuk do të bien në zero dhe investitorët do t’i kushtojnë më shumë vëmendje përfitimit dhe fuqisë së bilancit.

Nikolas Megaw

A do ta mbyll Novo Nordisk-i vitin si kompania më e vlefshme në Evropë?

Po. Në vitin 2023, trajtimi i obezitetit nga ilaçi Wegovy u bë një nga lansimet më të suksesshme të barnave të të gjitha kohërave, ndërsa Novo-ja e Danimarkës e kaloi në vlerë grupin e mallrave luksoze LVMH.

Por, viti 2024 duket sfidues për ata që shesin çanta dore me çmime të larta në Kinë – ndërsa çështja kryesore e Novo-s me shitjen e ilaçeve të mbipeshës, me çmime të larta, është se sa shpejt mund ta prodhojë atë. Pasi e fitoi besimin e pacientëve dhe të mjekëve për ta përdorur ilaçin e saj të diabetit për obezitet, Novo tani po e zgjeron qasjen dhe mbulimin në një treg ku ndoshta një milion njerëz po trajtohen nga një popullsi e pacientëve prej 100 milionë në ShBA dhe 700 milionë në botë.

Helen Thomas

A do të fitojnë yjet femra të popit më shumë sesa meshkujt – në turnetë e koncerteve?

Jo, në përgjithësi jo. Turneu i Taylor Swiftot, Eras, këtë vit ishte i pari që tejkaloi një miliard dollarë në të ardhura – duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të të gjitha kohërave të Elton Johnit me 939 milionë dollarë – ndërsa vazhdon edhe në vitin e ardhshëm. Turneu Renaissance nga Beyonce ishte numri dy i këtij viti, duke fituar 580 milionë dollarë.

Por, çekuilibri gjinor ende anon kah meshkujt. Vetëm një grua tjetër, Pink, ishte në 10 aktet më të mira të turneve të vitit 2023. Swift dhe Beyonce janë në një ligë tjetër, duke fituar dukshëm më shumë për koncerte sesa aktet e tjera në stadiume. Pink dhe Madonna mund të shfaqen në kryelistat e biletave të vitit 2024, por aktet mashkullore si Coldplay, Bruce Springsteen dhe Rolling Stones do të vazhdojnë të dominojnë.

Ludovic Hunter-Tilney

A do t’ia kthejë Britania, Greqisë, mermerët e Partenonit?

Po – edhe pse me siguri do të jetë nëpërmjet një marrëveshjeje të kredisë, jo kthim i plotë që do të kërkonte ndryshim në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar. Temperatura politike u ndez këtë vit kur Rishi Sunak anuloi papritur një takim në Londër me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.

Por, drejtori i Muzeut Britanik, George Osborne, ka mbrojtur fuqimisht marrëveshjen për të lejuar që mermerët të ekspozohen në Athinë, me thesaret e tjera greke që të vijnë në Londër si këmbim. Keir Starmer i Partisë Laburiste ka lënë të kuptohet se nuk do ta bllokojë një marrëveshje të pranueshme për muzeun dhe për Athinën.

Jan Dalley

/Telegrafi/