LAJMI I FUNDIT:

Paranoja dhe poliritmet: Këngët më të mira të grupit Talking Heads

Paranoja dhe poliritmet: Këngët më të mira të grupit Talking Heads
David Byrne gjatë një koncerti të vitit 1981 me grupin Talking Heads

Nga: Alexis Petridis / The Guardian
Përkthimi (i pjesshëm): Telegrafi.com

20. DREAM OPERATOR (1986)
Duket se askujt nuk ia ndien shumë për albumin True Stories – kritika ishte e heshtur dhe David Byrne shprehu keqardhjen që u publikua – por, kjo nuk e pengon pikën kryesore, Dream Operator, që të jetë këngë e bukur. Është rok i drejtpërdrejtë i ndikuar nga amerikana, shumë më ndryshe nga eksperimentimi novator i grupit.


19. NO COMPASSION (1977)
Të paktën nëse e ndien, No Compassion mund të jetë kënga më e bukur e grupit Talking Heads. Është ankesë e gjatë dhe qesharake për ato që tani mund të quhen detaje personale – “çfarë je, i dashuruar me problemet e tua?”; “Fol me psikiatrin tënd – a nuk paguhet për këtë?”. Dhe, 47 vjet më vonë ende ndihet si këngë e duhur.

18. (NOTHING BUT) FLOWERS (1988)
E cilësuar gjatë publikimit si rikthim në formë, albumi i fundit i Talking Heads, Naked nuk është pjekur mirë – fanku i tij tingëllon paksa i kufizuar në krahasim me Remain in Light. Ritmet janë të frymëzuara nga latino-amerikanët, ndërsa ka qëndrim qesharak për çështjet mjedisore.

17. FOUND A JOB (1978)
A ka këngë më të çuditshme parashikuese në katalogun e grupit Talking Heads? Një çift i mërzitur bën shfaqjen e vet televizive – “shpik situata” ku përfshihet “e gjithë familja e tyre … të gjithë miqtë e tyre”. Ajo që dikur dukej si fantazi tipike e çuditshme e Byrneit, tani duket se i parashikoi televizionet e realitetit.

16. ROAD TO NOWHERE (1985)
Një hit i madh në Mbretërinë e Bashkuar, Road to Nowhere nga Byrne synohej të ishte “vështrim i hareshëm i kiametit”. Ritmi ushtarak vazhdon pa pushim; melodia dhe tingulli i ndikuar nga ungjilli dhe nga ritmet e Luizianës e përmbushin aspektin gazmor.

15. LOVE > BUILDING ON FIRE (1977)
Debutim i guximshëm që e veçoi grupin Talking Heads nga bashkëkohësit e tyre në klubin CBGB të Nju-Jorkut. Pop, i çuditshëm dhe bindës, është post-pank i lansuar në kulmin e pankut. Versioni i koncertit në The Name of This Band Is Talking Heads – me kitaristin Jerry Harrison – është më i ashpër.

14. AND SHE WAS (1985)
Little Creatures mund të jetë albumi në të cilin Talking Heads filluan t’i afroheshin pak më shumë rrymës më të mirë të tyre, dhe shquhet për këngët e shkëlqyeshme. And She Was – historia e shoqes “hipike” të adoleshentit Byrne që e përjetoi ndjesinë e fluturimit teksa ishte e droguar me LSD – është momenti i saj i përsosur pop.

13. I ZIMBRA (1979)
Asnjë këngë nga Fear of Music nuk bën me dije për drejtimin e ardhshëm të Talking Heads, aq qartë sa I Zimbra, fanku i saj me poliritme të ndikuara nga afrobiti. U publikua si singël i cili ishte i guximshëm, duke qenë se teksti është përshtatur nga një poezi dadaiste e Hugo Ballit dhe nuk përmban asnjë fjalë të vetme të njohur.

12. HOUSES IN MOTION (1980)
Monologu i tërthortë i Byrneit është magjepsës, por Houses in Motion ka të bëjë vetëm me muzikën. Duke ngadalësuar ritmet e furishme që konsumojnë anën e parë të albumit Remain in Light, tingëllon si muzikë që del nga avulli i nxehtësisë. Trumbeta e të ndjerit Jon Hassell është thjesht fantastike.

11. SLIPPERY PEOPLE (1983)
Ekziston një argument bindës se versioni përfundimtar i Slippery People nuk është ai në Speaking in Tongues, por versioni i koncertit në Stop Making Sense. Në fakt, versioni nga Staples Singers – me Byrnein në kitarë – mund të jetë akoma më i mirë.

10. BORN UNDER PUNCHES (THE HEAT GOES ON) (1980)
Pjesa hapëse e Remain in Light e hedh dëgjuesin drejt e te tingulli i dendur i Talking Heads, i ndikuar nga Fela Kuti. Ka shtresa të ritmeve shpërthyese, reagime të slep-basit dhe refrene që bërtasin dhe këndojnë, me Byrnein në një modalitet veçanërisht të ashpër. Është e jashtëzakonshme soloja e kitarës, plot efekte, që shpërthen në kohën 2:50.

9. ONCE IN A LIFETIME (1980)
Është kënga e Talking Heads që të gjithë e dinë, por Once in a Lifetime është recetë thellësisht e çuditshme për një këngë hit: e realizuar në stilin predikues për një krizë ekzistenciale, me fankun e pazakontë poliritmik, kulmin e frymëzuar nga organi distorziv i këngës Sister Ray nga Velvet Underground. Përbërës të çuditshëm, por së bashku funksionojnë në mënyrë magjike.

8. GIRLFRIEND IS BETTER (1983)
Demonstrim i përsosur se si Speaking in Tongues zbret tingujt shpërthyes të Talkin Heads në kohën e Remain in Light. Girlfriend Is Better është dinamik, fank i tendosur – i nxitur nga kitara dhe basi – megjithëse i mbushur me zhurma të cilat një kritik i krahason me pastrim lavamani.

7. HEAVEN (1979)
Mund ta lexoni Heaven si narracion që kthen vëmendjen te çështjet shpirtërore – jeta e përtejme, sugjeron, i ngjan një lokali të famshëm e të mërzitshëm – por, vokali i mbushur me jehonat e Byrneit dhe performanca e grupit tingëllojnë si diçka pasionante dhe jo sarkastike. Melodia është e ëmbël, por e trishtuar, ndërsa rezultati përfundimtar është çuditërisht emocionues.

6. THE BIG COUNTRY (1978)
More Songs About Buildings and Food në fund e ka këngën më të mirë: është muzika që i afrohet Valës së Re, me tekstin që vështron nga dritarja e aeroplanit. Konkluzioni ndoshta tallës i Byrneit për Nju-Jorkun është: “Nuk do të jetoja atje, nëse më paguani”!

5. CROSSEYED AND PAINLESS (1980)
Vokale të kryqëzuara, një kalim i frymëzuar nga repi, refreni që duket se parandalon kritikat (“A nuk është e çuditshme? Më duket shumë e errët”): mund ta krahasoni me Born Under Punches. Në fakt, mund ta përfshini edhe The Great Curve në këtë listë, sepse ana e parë e Remain in Light është kaq e mahnitshme.

4. BURNING DOWN THE HOUSE (1983)
Një këngë tjetër nga Speaking in Tongues që është përmirësuar nga versioni në koncert (më i shpejtë, më argëtues) në Stop Making Sense. Thënë kështu, të dy versionet janë madhështore, duke goditur në pikën midis komerciales dhe eksperimentimit.

3. PSYCHO KILLER (1977)
Ekziston një video e mrekullueshme e këngës origjinale në një koncert në vitin 1975. Performanca është ritmike, por kënga e tyre veçse ishte e formuar: linja e basit, vokal i vrazhdë, me pjesë në frëngjisht. Çdo element e bën të tingëllojë shkëlqyeshëm, për gati 50 vjet.

2. LIFE DURING WARTIME (1979)
Ndjesia ogurzezë te Fear of Music është në kulm: tekste të kënduara nga këndvështrimi i një terroristi të mbytur – “Kjo nuk është festë! Kjo nuk është diskotekë!”. Paranoja rrallëherë ka tingëlluar kaq ritmike.

1. THIS MUST BE THE PLACE (NAIVE MELODY) (1983)

Në njëfarë kuptimi, This Must Be the Place (Naive Melody) është këngë atipike e Talking Heads. Është këngë e drejtpërdrejtë dashurie, në kundërshtim me personazhin e çuditshëm të Byrneit. Është e qetë, e butë dhe e fuqizuar nga thjeshtësia: Byrne dhe Tina Weymouth këmbyen instrumentet në kërkim të naivitetit të titullit. Ka pasazhe instrumentale hipnotike, duke përfshirë një minutë të plotë përpara se të shfaqet zëri i Byrneit, që ndihen po aq të mahnitshme sa vokali. Por, atipike ose jo, është e mrekullueshme, shkëlqen me ngrohtësi tërheqëse. Nuk ka të bëjë vetëm me dashurinë – dhe “Kam ardhur në shtëpi / Ajo çoi krahët lart / Mendoj se ky duhet të jetë vendi” është mënyrë e bukur për ta thënë – sepse tingëllon si të biesh në dashuri. /Telegrafi/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Historia e marigonave të Kosovës: Qëndisën flamuj edhe kur ishte e ndaluar

Kulture
FALJA

FALJA

Poezi
Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Në Bjeshkët e Rugovës: Një Retrospektivë mbi Poezinë e Azem Shkrelit

Analiza
PËR VETVETEN

PËR VETVETEN

Fjala+
PORSI NJË GRUA

PORSI NJË GRUA

Poezi
MUTACIONE

MUTACIONE

Fjala+
Kalo në kategori