LAJMI I FUNDIT:

Paragjykimet vështirësojnë strehimin e komunitetit rom që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri

Paragjykimet vështirësojnë strehimin e komunitetit rom që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri
Zona e ish-konvikteve të Komunales në rrugën Myslym Keta në Tiranë / Erblin Vukaj, Euronews Albania

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 thelloi në Shqipëri problemin e strehimit aq sa dy vite më vonë të ketë sërish familje që nuk kanë gjetur zgjidhje të qëndrueshme për situatën e tyre.

Euronews Albania sjell sërish rastin e Flutura Abazit, nënë e dy fëmijëve, e cila ka bashkëshortin me aftësi të kufizuara dhe vetë gjithashtu vuan nga shëndeti mendor. Ajo së fundmi ka gjetur shtëpi me qira, mirëpo e ka të vështirë të sigurojë kontratë prej së cilës të përfitojë mbështetje nga Bashkia Tiranë.


Si anëtare e komunitetit rom, familja e saj ishte mes 80 familjet që u detyruan të shpërnguleshin nga godinat e ish-konvikteve të Komunales në rrugën Myslym Keta në Tiranë. Këto godina u shpallën të pabanueshme pas tërmetit të dy viteve më parë dhe pritet të shemben.

Mungesa e një titulli pronësie në ish-ndërtesat shtetërore, – të cilat u privatizuan gjatë viteve 90-të, – e lanë Fluturën jashtë skemës së përfitimit nga programi i rindërtimit. Situatë të ngjashme pësuan edhe familje të tjera. Por rasti i Fluturës është më i ndërlikuar. Në familje ajo ka gjendje të rëndë shëndetësore dhe po ashtu ekonomike.

Brenda shtepisë së Flutura Abazit, Foto: Erblin Vukaj.

Pas interesimit tonë përmes aktivistes Suela Hoxha, mësuam se Flutura është sistemuar në një shtëpi private pranë rrugës Niko Avrami, jo shumë larg ish-Konvikteve të Komunales.

“Ka rreth dy javë që jam vendosur këtu, më ka ndihmuar motra,” – thotë ajo për shtëpinë njëkatëshe, e cila ka vetëm dy dhoma.

Qiranë e ka marrë përsipër motra e saj, e cila punon si pastruese, por që gjithashtu nuk ka gjendje të mirë ekonomike.

Paragjykimi dhe anticiganizmi, një formë e veçantë racizmi kundër romëve, është arsyeja kryesore se përse Flutura e ka pasur të vështirë ta gjejë vetë një shtëpi me qira.

Përgjithësisht qiradhënësit priren të mos e marrin parasysh kur shohin rastin e saj. Sipas sondazhit të fundit Barometri i Ballkanit, i cili analizon bizneset dhe opinionin publik në rajon, vetëm 29 për qind e qytetarëve në Shqipëri nuk do ta kishin problem që të jepnin apartament me qira për persona të komunitetit rom.

Thënë ndryshe, romët kanë shumë më pak shanse për ta marrë apartamentin, pavarësisht arsimimit, të ardhurave mujore apo statusit shoqëror, dhe kjo vetëm pasi janë romë, që është një provë e drejtpërdrejt e anticiganizmit të përhapur.

Siç na tregoi drejtuesja e Njësisë Administrative Nr.4, Liri Qoshi, për të përfituar nga bonusi i qirasë, Fluturës i nevojitet një kontratë, karta e identitetit dhe një numër llogarie bankare e pronarit të shtëpisë. Ajo tha se ndryshe nga viti i shkuar, ku pagesat e qirasë u kaloheshin fillimisht përfituesve, tashmë Bashkia Tiranë ua kalon direkt qiradhënësve në bankë.

Nikoleta Martini, punonjëse e ndihmës ekonomike në Njësinë Administrative Nr.4, ia shpjegoi këtë procedurë Fluturës dhe pronarit të shtëpisë ku ajo është vendosur nga e motra. Ky u tregua i kuptueshëm dhe u zotua se brenda dy-tre ditëve do ta mundësonte një të tillë.

Flutura Abazi përballë shtëpisë ku është vendosur përkohësisht, Foto: Erblin Vukaj.

Ky është një shembull i mirë kur institucionet tregohen të gatshme për të dhënë mbështetjen e tyre, si dhe shfaqin dëshirën e përbashkët për të zgjidhur problemin e Fluturës. Por, ka shumë raste si i Fluturës të cilët vijojnë të presin për mbështetjen e institucioneve, edhe pse liderët e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu dhe Shqipërinë, u zotuan në Samitin e Poznanit në 2019 se do të forconin strukturat qeverisëse për të mbrojtur romët nga diskriminimi duke firmosur dhe Deklaratën e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor për Integrimin e Romëve në kuadër të procesit të zgjerimit të BE.

Prej nëntorit të vitit 2019, Flutura nuk e ka të sigurt strehimin. Ajo thotë se gjatë kësaj kohe ka vijuar të jetojë ose te ndonjë i afërm, ose te ish-Konviktet e Komunales, ose rrugëve.

Herë pas here ka gjetur strehë dhe ushqim në qendrën komunitare “Gonxhe Bojaxhi” në rrugën Sabaudin Bekteshi. E shqetësuar më së shumti për gocën, e cila ka nisur shkollën, Flutura thotë se nuk e di se çfarë mund të presë nga e ardhmja.

Mbi 14 mijë familje u mbështetën për strehim me bonus qiraje pas 26 nëntorit 2019. Sipas ministrisë së Financave rreth 20% e tyre ishin nga Tirana.

Si rrjedhojë e dëmeve të tërmetit, 28 pallate janë vlerësuar të pabanueshme në kryeqytet. Për këtë është parashikuar që ato të shemben ndërsa në zona si “Rruga 5 Maji” të ndërtohen blloqe lagjesh të reja.

Në mendjen e Fluturës mbetet brenga se ajo nuk do mund të përfitojë për një periudhë afatgjatë nga ky program, teksa bonusi i qirasë parashikon mbulimin e strehimit për vetëm një vit, e më pas ajo do ta gjejë veten sërish në mes të katër rrugëve./Euronewsal.

Në trend Lajme

Më shumë
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Sulm fizik ndaj një gruaje dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj të dyshuarit në Prishtinë

Drejtësi

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori