LAJMI I FUNDIT:

Paradokset e famës

Paradokset e famës
Ilustrim

Çapajev Gjokutaj

Autor i bestsellerit “Emri i Trëndafilit”. Ky është atributi i parë që mediat prestigjioze botërore i rezervuan Umberto Econ në shkrimet e pasvdekjes. Vetë Eco thoshte: Jam filozof, romanet i shkruaj gjatë fundjavës. Madje, për “Emrin e Trëndafilit” shtonte se e shkroi gjysmë me të qeshur, si çdo punë qejfi.

1. Tingëllon paradoksale: famën nuk ia dha as puna e filozofit dhe e akademikut, as ajo e semiologut, e teorikut letrar apo e shkencë- tarit të komunikimit; por shkrimi letrar, një nga hobet e kohës së lirë. Parë nga jashtë ngjan se është bërë i famshëm aksidentalisht. Parë nga brenda të rezulton: i famshëm pa dashje, por jo rastësisht. Duket si lojë fjalësh, por është reale.


Të vërtetat e kulluara ekzistojnë vetëm në gjykimet tona, në realitet shfaqen kurdoherë të përziera, dhe jo rrallë, edhe paradoksale. Takimi i Ecos me krijimin letrar nuk ishte vetëtimë në qiell të kthjellët. Siç dëshmonte vetë, gjithë jetën, qysh nga fëmijëria kishte ndjerë ngashënjimin e narratorit, shtysën për të kallëzuar, madje edhe për të shkruar.

Megjithatë, prozën e parë letrare do ta botonte vetëm kur bëri 48 vjet. Dhe s’qe prozë dosido, por një nga romanet e mëdhenj të shekullit, “Il Nome della Rosa”. Diçka e ngjashme i kishte ndodhur edhe Servantesit me “Don Kishotin”. Vetëm se Servantesi do ta provonte shijen e suksesit edhe 10 vjet më i moshuar, në prag të moshës së tretë.

Kur dhuntia e lindur për rrëfim gjeti rrugën drejt letrës, Eco ishte një personalitet i kompletuar. Shkencëtari e kish kaluar gjithë jetën bibliotekave, duke studiuar veprat më të mira të mendimit njerëzor, veçanërisht të atij mesjetar. Atmosfera aq ngashënjyese e disa skenave tek “Emri i Trëndafilit” vështirë të plazmohej pa këtë rropatje shumëvjeçare në libra dhe arkiva mesjetare.

Ndërkohë, nga pozitat e studiuesit kish përpunuar konceptin “vepër e hapur”, një instrument mjaft funksional për të gjeneruar gjithë kuptimet që përmban një vepër letrare dhe artistike. Magjia që ndien lexuesi i romaneve të Ecos, lidhet edhe me faktin që ndihet bashkëkrijues; gjeneron mbresa, imazhe, domethënie pa iu referuar Ecos si autor, por vetëm tekstit të tij. Po nga pozitat e studiuesit kish propozuar disa qasje mjaft efikase për të studiuar narracionin letrar dhe ligjësitë e tij.

Vrojtimet e semiologut për zhanre të popkulturës e kishin shtyrë të njihte si rrallëkush ligjësi të rëndësishme të romanit policor. “Emri i Trëndafilit”, përkundër peshës së rëndë në rrafshin e ideve, është derdhur në strukturat e një romani detektivësh. Me fjalë të tjera, është e vërtetë që Eco e nisi punën e shkrimtarit si hobi të kohës së lirë, por brenda individualitetit të tij ishte pjekur prej kohësh mjeshtri i prozës artistike.

Prej kohësh kish marrë trajtat e një toke me humus, lagështi dhe ngrohtësi optimale që pret vetëm plugun për të krijuar sa hap e mbyll sytë harlisjen pranverore. Në këtë kuptim, Eco u bë i famshëm pa dashje, por jo rastësisht.

2. Të bërët i famshëm jo nga shkenca, por nga letërsia nuk ngjan të jetë i rastësishëm edhe për një arsye tjetër, më universale. Lady Gaga apo Ronaldo janë shumë të njohur dhe, rrjedhimisht ku e ku më të famshëm se Robert Edwards, fitues i çmimit “Nobel” për mjekësinë në vitin 2010.

Këngëtarja dhe futbollisti në fjalë u kanë dhënë miliona e miliona njerëzve çaste të çmuara argëtimi e çlodhjeje. Robert Edwards dhe bashkëpunëtorët e tij i kanë dhënë njerëzimit fertilizimin in vitro. Vlera e kësaj shpikjeje ndikon jo disa çaste, por gjithë jetën e qindra-mijëra grave, sepse u mundëson t’i ikin njërës prej brengave më të thella të gruas: pamundësisë për t’u bërë nënë. Nuk po përmendim këtu ndikimin në jetën e baballarëve apo të familjes dhe të gjithë shoqërisë.

S’ke ç’i bën. Jo gjithnjë fama është në proporcion të drejtë me vlerat. Madje, prej shekujsh përdoret termi “famë herostratike” që e kundërvë popullaritetin me vlerat. Herostrati dogji një nga shtatë mrekullitë e botës, tempullin e Artemisës në Efes, vetëm e vetëm që të mbetej në histori.

Dhe për çudi ia doli, paçka se gjyqtarët e Efesit u përpoqën ta shuanin edhe nga kujtesa e bashkëkohësve, duke mos ia shënuar emrin në vendimin e dënimit me varje. Në fakt, romanet e Ecos dhe sidomos “Emri i Trëndafilit” nuk janë thjesht mjete argëtimi që lehtësojnë kalimin e kohës së lirë si triblimet e Ronaldos apo performancat ekstravagante të Lady Gagas.

Kemi të bëjmë me letërsi të madhe. Pavarësisht kësaj, mbetet diçka që të shtyn të diskutosh. Prurjet e Ecos në letërsi vështirë se mund të krahasohen me majat e shënuara nga Homeri, Servantesi, Shekspiri etj. etj. Madje, ha diskutim nëse mund të klasifikohen edhe me romanet e mëdhenj të Proust-it, Joyce-it, Gabriel Garcia Marquezit etj.

Vetëm një gjë është jashtë diskutimit, prurjet letrare të Ecos nuk kanë arritur të ndikojnë në zhvillimin e letërsisë botërore në përmasat e kolosëve që sapo përmendëm. Prurjet në shkencat e komunikimit dhe posaçërisht në semiotikë e vendosin Econ përkrah Sosyr-it, themeluesit të kësaj shkence, dhe Roland Barthes. Madje ka të ngjarë që, me kalimin e viteve, të renditet i pari. Thënë ndryshe, kur kontributet shkencore të Ecos vihen në kontekstin e prurjeve globale, emri i tij synon kreun.

Në rrafshin letrar, megjithëse një autor i madh, Eco vështirë se mund të klasifikohet në kreun e prurjeve bashkëkohore. Logjika e do ta vlerësosh tjetrin atje ku sjell më shumë vlera, më shumë risi. Por, siç u përmend më lart, fama dhe vlerat nuk korrespondojnë në çdo rast. Mes tyre ka dendur shpërpjesëtime. Kjo është bërë më e dukshme në ditët tona kur fama nuk lidhet aq me vlerat, sa me tregun.

Lady Gaga gjatë 10 vjetëve të karrierës së saj ka shitur në total më shumë se 60 milionë albume dhe këngë. “Emri i Trëndafilit”, megjithëse qarkullon prej më se 30 vjetësh dhe për shumë kohë ka qenë bestseller, mezi ka arritur të shesë rreth 30 milionë kopje në të gjitha gjuhët ku është përkthyer.

3. Përcaktimi i famës më shumë nga tregu sesa nga vlerat, duket si diçka skandaloze, veçanërisht në këndvështrimin e elitave intelektuale. Megjithatë, si çdo gjë e kësaj bote nuk përbën dukuri puro negative. E mira dhe e liga shumicën e kohës ndajnë të njëjtin shtrat. Pikturat e Van Gogut, p.sh., janë sot pjesë e pandarë e mjedisit kulturor global. Por gjeniu i peizazhit, sa qe gjallë arriti të shiste vetëm një vepër për 1600 dollarë.

Sot vetëm “Vazo me pesëmbëdhjetë luledielli” vlerësohet në 83 milionë dollarë. Po të kishte asokohe një lidhje më të mirë mes artit dhe tregut, Van Gogu s’do kishte vdekur në mizerje e varfëri, mund të qe pronar i gjithë Arles, shtuar edhe disa ishuj në Egje apo Karaibe.

Edhe kështu vështirë të pretendosh se ke zbuluar gjithë të vërtetën për raportet mes famës, pasurisë dhe talentit. Vendosur në këtë këndvështrim, zhvishet nga çdo lloj cinizmi qëndrimi i Nolit që fliste për një lidhje shkak-pasojë mes varfërisë së “Shubertit harbut” dhe muzikës së tij të pavdekshme, duke konkluduar me ironi se “macja e ngopur nuk zë minj”.

Në çdo kënd që t’i shohësh, marrëdhëniet mes famës dhe vlerave reale kanë gjeneruar dhe gjenerojnë një varg paradoksesh. Njërin prej tyre e zbulonte vetë Eco kur shkruante se krijimi i famës së pavdekshme kërkon, para së gjithash, një paturpësi kozmike.