Papritmas, Vladimir Putini mund të jetë në telashe

Burimi: The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Hera e fundit që Volodymyr Zelensky shkeli në Zyrën Ovale, kjo mund të ketë qenë një nga ditët më të këqija të jetës së tij. Shpotitë e turpshme, drejtime gishtash, fyerje për veshjen e tij; të gjitha këto e lanë thellësisht të poshtëruar.
Megjithatë, kësaj here ai pati kohë të përgatitej. Dhe, megjithëse tabloja e përgjithshme mbetet e zymtë për Ukrainën, Zelensky dhe aleatët e tij shfaqën një savoir faire mbresëlënës dhe u duk se po rifitonin terren te Donald Trumpi i cili dikur dukej si përgjithmonë i humbur.
Fillimisht ishte çështja e veshjes së Zelenskyt. (Një gjë e vogël për të filluar shkrimin, por për këtë na ka detyruar Trumpi.)
Herën e kaluar, veshja e Zelenskyt i zemëroi amerikanët. Megjithatë, këtë herë ai arriti të ruante integritetin e vet dhe të bënte një gjest respekti duke veshur një xhaketë të zezë fushore - ashtu siç bëri për varrimin e Papa Françeskut në prill.
Trumpi u ndje i lajkatuar dhe kjo ashiqare i pëlqeu. Për më tepër, kur i njëjti gazetar - i cili e kishte sulmuar brutalisht - e komplimentoi për pamjen e tij të re, Zelensky e menaxhoi mirë situatën “Ju jeni me të njëjtën kostum”, vuri re ai me një buzëqeshje që të mund. “Unë ndryshova. Ju jo”. Të qeshura gjithandej; gazetari nuk dukej se e ndjeu thikën që po hynte, por për të gjithë të tjerët mesazhi ishte i qartë.
Ky ishte modus operandi i përdorur nga Zelensky dhe evropianët: t’i jepnin Trumpit përuljen dhe lajkat që i duheshin, ndërkohë që manovronin pjesët e veta në pozicionin që bënte presion mbi armiqtë e tyre.
Merrni në konsideratë një tjetër pjesë teatri: dorëzimi i një letre nga bashkëshortja e Zelenskyt për Zonjën e Parë. Kjo ishte një përgjigje ndaj mënyrës se si Melania i kishte shkruar Putinit duke kërkuar mbrojtjen e fëmijëve.
“Nuk është për ju - por, për gruan tuaj”, tha lideri ukrainas teksa ia dorëzoi Trumpit, i cili e pranoi ngrohtësisht.
Si në konceptim ashtu edhe në koreografi, ishte perfekte: përdorimi i një gjesti mbështetjeje nga Shtetet e Bashkuara, në një mënyrë shumë personale për presidentin. Në aspektin psikologjik, ishte ashiqare e menduar për ta sjellë Trumpin në anën e tyre.
Duket se funksionoi. Përsëri, tabloja më e gjerë nuk është ideale për Ukrainën. Por, në krahasim me samitin e çuditshëm në Alaskë, aleanca evropiane pati fitore të rëndësishme strategjike.
Më e rëndësishmja, Zelensky dukej se e bindi presidentin se ai është me të vërtetë i interesuar për paqe, jo penguesi për të cilin Trumpi e kishte marrë padrejtësisht herën e kaluar.
Kjo i hap rrugë ndoshta përparimit më të madh deri tani: refuzimi i Trumpit për të përjashtuar mundësinë e vendosjes së trupave amerikane në terren, si pjesë e një garancie sigurie. “Ata [Evropa] janë vija e parë e mbrojtjes sepse janë aty ... por, ne do të ndihmojmë gjithashtu. Do të jemi të përfshirë”, tha ai.
Ky deklarim do të ishte i paimagjinueshëm që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit. Megjithatë, ja ku ishte. Një arritje e madhe e diplomacisë evropiane.
Dhe, kjo nuk ishte e gjitha. Në një postim të vonë nate në Truth Social, Trumpi konfirmoi se kishte filluar përgatitjet për një takim midis Zelenskyt dhe Putinit.
Kjo ishte një tjetër fitore për djemtë e mirë. Takimi nënkupton që Putini do ta pranojë pozitën e Zelenskyt si lider legjitim shteti, diçka që do ta lëndojë rëndë krenarinë ruse.
Vendosni të gjitha këto pjesë së bashku dhe çfarë merrni? Nëse Alaskë ishte një shfaqje e turpshme e miqësisë ndaj tiranit të përgjakur të Kremlinit, e hëna mund të shënohet si një fitore e qetë diplomatike për Ukrainën.
Për herë të parë në javët e fundit, Putini mund të jetë ai që është nën presion. Nëse ai i përgjigjet këtyre ndërhyrjeve - në dominimin e tij - duke prishur marrëveshjen ose çdo bisedë të ardhshme, ai mund ta shndërrojë veten në palën që fajësohet.
Kjo mund të tërheqë ndonjë kundërpërgjigje nga Shtëpia e Bardhë, e cila është e dëshpëruar të përfundojë luftën. A do të pasojnë sanksionet? Ndoshta. Në çdo rast, simpatia e Trumpit mund të rifitohen nga ana e errët e forcës, duke e vënë Ukrainën në pozicionin që shtyn më tej avantazhin.
Do të ishte marrëzi të parashikohet se çfarë do të ndodhë më pas. Por, duhet të gjejmë ngushëllim aty ku mundemi: përmes syve të ukrainasve, tabloja duket më pak e pashpresë sesa javën e kaluar. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë një xhaketë fushore, një letër personale dhe artikulimi elokuent. /Telegrafi/
















































