Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Albert Spahiu, ka thënë se qeveria duhet t’i dëgjoj kërkesat e prodhuesve.

Panxha duke folur në prag të Konventës së Dytë të Prodhuesve, ka ftuar të gjithë prodhuesit që të marrin pjesë në këtë takim.

“Është viti i dytë që po organizohet Konventa e Prodhuesve, e çfarë do të thotë së është krijuar një traditë në grumbullimin e prodhuesve në një vend dhe të diskutojmë për temat e rëndësisë së veçantë për ata. Vitin e kaluar kemi diskutuar për shkathtësitë e fuqisë punëtore dhe mundësitë për eksport, sivjet do të flasim për tregtinë regjionale, investimet e huaja direkte që është shumë me rëndësi për këtë sektorë që të vijnë investitorë të ri, me teknologji të reja dhe ta sjellim tregun e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe do të flasim për marketingun digjital”, tha Panxha.

Ai thotë se konventa është e hapur për të gjithë me qëllim që të dëgjohet zëri i prodhuesve.

“Vitin e kaluar i kemi pasur mbi 200 kompani që kanë marr pjesë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, sivjet presim që ky numër të jetë më i madh. Konventa është e hapur për të gjithë, kemi pasur interesim të madh për të marr pjesë, andaj i thërrasim të gjithë prodhuesit e Kosovës që të janë pjesë e kësaj konference dhe të dëgjohet zëri i tyre dhe çështjet që kanë të bëjnë me ta”, thotë ai.

Panxha tregon së këtë konventë do të shpaloset agjenda e prodhuesve për vitin 2020.

“Kjo konventë do ta shpalos agjendën për vitin 2020. Është shumë më rëndësi që do ta kemi edhe kryeministrin [Albin Kurti] në konventë, ku do t’i dëgjoj se cilat janë sfidat e prodhuesit, cilat janë nevojat e tyre dhe do të ketë mundësi që t’i diskutojmë këto gjëra. Vitin e kaluar kemi pasur diskutime të ndryshme dhe kemi pasur rezultate nga disa projekte që i kemi pasur për synim”, tregon Panxha.

Ai në këtë intervistë thotë se qeveria duhet t’i dëgjoj kërkesat e prodhuesve.

“Është shumë më rëndësi që të dëgjohen kërkesat e prodhuesve, të konsultohet me prodhues dhe pastaj sipas kërkesave tona të bëhet një plan i punës. Kërkesat e prodhuesve janë të ndryshme. Kemi problem me fuqinë punëtore, pasi që në Kosovë ka shumë të rijnë të cilët nuk janë të aftë apo nuk i kanë shkathtësitë e duhura që të punojnë në sektorin e prodhimit, një pjesë e tyre janë duke ikur jashtë në Gjermani dhe është vështirë që të zëvendësohen. Gjetja e tregjeve për eksport është një prej sfidave kryesore që i kanë prodhuesit. Po ashtu, mund të themi që është burokracia shtetërore, ku është shumë e vështirë të kryhen punë për shkak të vonesave si në aspektin lokal dhe qendror duhet të largohen”, përfundon ai.

Klubi i Prodhuesve të Kosovës organizon Konventën e Dytë të Prodhuesve Klubi i Prodhuesve të Kosovës organizon Konventën e Dytë të Prodhuesve

Konventa e Prodhuesve të Kosovës është ngjarje gjithëpërfshirëse, që përfshin prodhuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve, institucionet dhe agjencitë qeveritare dhe përfaqësues të ambasadave dhe të organizatave jo-qeveritare.

Ky edicion do të mbahet më 19 shkurt në hotel “Emerald”, duke filluar nga ora 09:00. /Telegrafi/