LAJMI I FUNDIT:

Pandemisë po i shihet fundi

Pandemisë po i shihet fundi

Ka kohë që nuk kam shkruar për pandeminë COVID-19. Parashikimet të cilat i kisha dhënë që nga fillimi për ecurinë e pandemisë dolën të vërteta. Gjithashtu, sugjerimet dhe vërejtjet e mia pranoheshin nga autoritetet, edhepse me pak vonesë dhe në mënyrë të heshtur.

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj
Infektolog dhe profesor i asociuar i sëmundjeve infektive


Jemi në vlugun e valës së dytë të pandemisë COVID-19, e cila, përkundër masave të caktuara kufizuese të ndërmarra nga autoritetet, po tregohet rezistente, duke e mbajtur nivelin e infektueshmërisë të qëndrueshëm. Raste të reja po identifikohen për çdo dite, shumë të tjerë infektohen pa e ditur fare.

Disa nga të infektuarit, më formën më të rëndë të sëmundjes po përfundojnë në mjekim në klinikat e spitalet e Kosovës, të cilat, po shihet se nuk janë përgatitur si e sa duhet për këtë fazë të re të pandemisë, të vëna në lajthitje nga autoriteti i rrejshëm i IKSHP-së dhe vetëkënaqësia e pabazë e udhëheqjes së SHSKUK-së.

Por gjendja nuk është e pashpresë siç mund të duket. Për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, të njëjtës po i shihet fundi. Tashmë janë zbuluar disa në të dy anët e globit, në perëndim e lindje. Shumë të tjerë janë në faza të ndryshme të hulumtimit. Vaksinat e zbuluara anti-covid janë të efektshme më potencial për të mbrojtur të vaksinuarit dhe për të krijuar imunitetin e tufës në mënyrë artificiale. Gjeneratat e ardhme të këtyre vaksinave, nëse shfaqet nevoja për vaksinim të përsëritur kundër SARS-Cov 2, do të jenë edhe më efikase.

Së bashku me imunitetin e krijuar në mesin e atyre që deri tash e kanë kaluar sëmundjen, me ose pa simptome, situata në botë do të ndryshojë shpejtë, duke e ndërprerë përhapjen e lehtë të këtij infeksioni dhe duke e bërë të mundur kthimin e jetës në një normalitet të ri post-covid. Virusi SARS Cov 2, nuk po bënë mutacione të tipit të virusit të gripit sezonal, shumë të shpejta dhe mëdha, prandaj edhe ndoshta vaksinim të përsëritur nuk do ketë nevojë fare, ashtu siç tash është puna me vaksinimin kundër influenzës (gripit sezonal), që e bëjmë për çdo vit.

Edhe pas vaksinimit në masë, raste sporadike, të izoluara, apo edhe në formë të epidemive të kufizuara mund të shfaqen edhe më tutje, por me vaksinat në dispozicion dhe me përvojën e fituar, çdo gjë do të jetë më e lehtë. Lirisht mund të themi se në nivelin global, nuk do të ketë valë të tretë të pandemisë, ndërsa edhe vala e dytë, aty ku vaksinimi do të fillojë në mënyrë masive në dhjetor e janar, do të shkurtohet në kohëzgjatje dhe do të zvogëlohet në intensitet.

Në vendet ku sigurimi i vaksinës do të jetë i vonuar, ose vaksinimi, për shumë arsye, nuk do të jetë masiv, vala e tretë nuk përjashtohet. Por, vala e tretë do të jetë padyshim, pakrahasimisht me e vogël se e dyta.

Tash kur mbrojtja përmes vaksinës është shumë afër, njerëzit duhet të ruhen edhe më shumë. Ta mbajnë maskën dhe të mos qëndrojnë në meset ku ka shumë njerëz që nuk e respektojnë as maskën e as distancën. Të rinjtë të kujdesën për të moshuarit, e të moshuarit për veten e tyre. Është tragjedi nëse dikush infektohet e vdes tash kur vaksina është aq afër nesh.

E kur vaksina në fund të arrijë në Kosovë, atëherë të vaksinohemi të gjithë. Pa dallim. Ta krijojmë imunitetin mbrojtës kolektiv, i cili do të na mbrojë për vite në të ardhmen. Duke e lënë COVID-19 në historinë e mjekësisë dhe të njerëzimit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori