LAJMI I FUNDIT:

Të premten hapet Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur

Të premten hapet Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur
Ilustrim

Panairi i Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur, edicioni i tretë, do të çelet këtë të premte (16 dhjetor 2022), në ora 11:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” (në pjesën e amfiteatrit).

Në këtë panair të librit do të paraqiten rreth 2 000 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur nga fusha e letërsisë, e gjuhësisë, e historisë, e etnologjisë, e etnografisë, e antropologjisë, e filozofisë, e eseistikes, e estetikës, e filmit, e teatrit etj.


Ky është programi i edicionit të tretë të Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur.

Hapja e panairit
E premte, 16 dhjetor 2022, ora 11:00
(Dita e parë e panairit të librit)

Me rastin e hapjes së panairit, në bashkëpunim dhe bashkorganizim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, në orën 11:20 hapet ekspozitën Të ndarë, por të pashkëputur dhe ekspozitën me dokumente arkivore, Dhimitër Pasko.

E shtunë, 17 dhjetor 2022
(Dita e dytë e panairit të librit)

Me datë 17 dhjetor 2022, me fillim nga ora 11:00, në Fakultetin e Arteve të Bukura të Universitetit të Prishtinës, në “Art Centër”, organizohet tryeza “Drama shqipe”, me të ftuarit prof. dr. Haqif Mulliqi dhe prof. ass. dr. Emin Z. Emini. Moderatore është Alketa Gashi Fazliu

Me 17 dhjetor 2022, me fillim nga ora 14.00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës organizohet po ashtu ora poetike “Dritë mbi plagë”.

Të pranishmëve do t’u dhurohet nga një ekzemplar i librit “Dritë mbi plagë”. Interpretues janë: Avni Dalipi, Alketa Gashi Fazliu dhe Vedat Haxhiislami.

E diel, 18 dhjetor 2022
(Dita e tretë e panairit të librit)

Me datë 18 dhjetor, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me fillim nga ora 12:00, organizohet tryeza shkencore “Sfidat e botuesve”. Të ftuar janë botuesit nga Kosova.

E diel, 18 dhjetor 2022
(Dita e tretë e panairit të librit)

Me datë 18 dhjetor, me fillim nga ora 10.00-12.00, në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me këtë Agjenci, organizohet punëtoria “Shërimi i materialit arkivor”.

Po më datë 18 dhjetor, me fillim nga ora 10.00-15.00, në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë, organizohet “Dita e dhurimit të librit” dhe bëhet pranim-dorëzimi i librave të dhuruar nga individë, shtëpi botuese dhe OJQ, për bibliotekat e shkollave të Komunës së Prishtinës.

/Telegrafi/