Objekti i ish-gjimnazit të parë shqiptar “Ismail Qemali” në Ferizaj, është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të marte.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Ramadan Rexhepi” rreth orës 04:25.


Telegrafi ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihen zjarrfikësit duke e shuar zjarrin.

335930415 3518888601681468 3427000005440644207 n 1 Foto: Ridvan Slivova - Telegrafi.com

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar për Telegrafin se zjarri është lokalizuar dhe se nuk ka të lënduar.

“Ekipe të policisë, zjarrfikësve kanë dal menjëherë në vendin e ngjarjes. Zjarri është lokalizuar dhe përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë mes tjerash ai.

Ndërsa, lidhur me rastin ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Haliti, i cili ka thënë se “krimi i organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt”.

Ai tutje ka deklaruar se kjo është hera e katërt ose e pestë që i vihet flaka objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore.

“Krimi i organizuar dëshiron që ta shlyejë historinë e Ferizajt. Sot për herë të katërt ose të pestë i vihet flaka objektit të mbrojtur të trashëgimisë kulturore, ish Gjimnazit të parë shqiptar Ismail Qemali në Ferizaj”, ka shkruar Haliti në Facebook.

Ai tutje ka ftuar organet e rendit që ta hetojnë këtë rast si dhe “të zbulohet urdhërdhënësi i këtij krimi”.

“Turp!”, ka përfunduar deputeti i VV-së.  /Telegrafi/

336220742 122786860624719 3711352719936514568 n 1 Foto: Ridvan Slivova - Telegrafi.com