LAJMI I FUNDIT:

Pamja më e vjetër e flamurit të kastriotëve

Pamja më e vjetër e flamurit të kastriotëve

Arkitekti Artan Shkreli, në profilin e tij në Facebook poston pamjen e një gravure të vjetër ku duket flamuri i Kastriotëve.

“Tani që festa e flamurit kaloi, dhe tingujt e fanfarat po mehen, postoj këtu pamjen më të parë që trashëgojmë të flamurit të Kastriotëve. Natyrisht nuk është pamja e parë e shujkes (stemës) me shqiponjë dykrenëshe të tyre, pasi të tilla kanë tepruar, por pikërisht ajo për së pari e një flamuri”, ka shkruar ai.


Figura në fjalë gjendet në veprën latinisht të humanistit gjerman Hieronymus Henninges, botuar në Magdeburg me 1598 dhe titulluar “Theatrum Genealogicum ostentans omnens omnium aetatus familias…”.

“Vepra është konceptuar në katër pjesë që nyjetohen në pesë volume, në të cilat paraqiten jo vetëm gjenealogjitë dhe shujkat e familjeve më të njohura e me rëndësi për kohën, por edhe vetë studiuesit bashkëkohore”, thotë Shkreli. “Çka bie në sy është fakti se Kastriotëve u jepet rendësi e posaçme, qoftë edhe në raport me familjet princërore e mbretërore të Evropës mesjetare, ndonëse ata nuk janë veçse zotër të Arbënisë dhe Epirit. Trajtimi i Kastriotëve bëhet në kaptinën ‘Epiri et Albania reges…’, në plot tre faqe (606-607-608) dhe me ta mbyllet pjesa e tretë e librit.

Kjo është hera e parë ku parashihet flamuri që do t’ju prijë më vonë shqiptarëve në përpjekjen për një formacion shtetëror.