Pamela Anderson mahnit me një pamje të veçantë në eventin e markës së saj të kujdesit për lëkurën në New York

Pamela Anderson tërhoqi vëmendjen me një paraqitje të pazakontë dhe tejet origjinale në eventin e markës së saj të produkteve të kujdesit për lëkurën, “Sonsie”, që u mbajt të dielën në New York City.
Aktorja 58-vjeçare, e njohur për transformimin e saj natyral dhe stilin e guximshëm vitet e fundit, veshi një fustan të lirshëm në formë trëndafili nga marka Magnolia Pearl Donby, me vlerë 550 dollarë.
Veshjen e kompletoi me çorape të gjelbra me model mollëkuqeje dhe një kapelë cilindrike me strehë të gjerë, ndërsa mbante në këmbë një palë taka ngjyrë kafe me majë të mprehtë, shkruan DailyMail.

Pamela zgjodhi të mos përdorte grim, duke theksuar natyrshmërinë e saj, ndërsa flokët bakri të prerë shkurt i binin butësisht mbi supe. Pamja e saj u përshtat në mënyrë perfekte me temën “kopshti magjik” të eventit.
Ngjarja, e zhvilluar në Soho, NYC, u organizua në bashkëpunim me Spotify dhe u konceptua si një “përvojë për ndjesitë”, ku të ftuarit u inkurajuan të sillnin shportat e piknikut dhe të shijonin atmosferën bohemiane.

Përmes një postimi në Instagram, faqja zyrtare e Sonsie ftoi ndjekësit me fjalët: “Ejani të na shihni para se të mbyllen portat e kopshtit, mezi presim t’ju takojmë në magji, zanat e kopshtit janë të mirëseardhura”.
Në event, u prezantuan produkte të reja, përfshirë një balsam për buzët me shkëlqim, të frymëzuar nga kujtimet e fëmijërisë së Pamelës, si dhe kremin “Adapt” për rigjenerimin e lëkurës.

Pamela, e cila u bë bashkëpronare e Sonsie në vitin 2024, ka ndikuar personalisht në krijimin e linjës, duke përfshirë Mousse-n Pastrues me esencë trëndafili të egër, frymëzuar nga kopshti i saj në Vankuver.
Në intervista të mëparshme, Anderson ka treguar se filozofia e saj e bukurisë është e lidhur ngushtë me pranimin, thjeshtësinë dhe rikthimin tek natyra. /Telegrafi/




























































