Tinder, Grindr dhe tre aplikacione të tjera takimesh online janë ndaluar në Pakistan për shpërndarjen e “përmbajtjes imorale”.

Qeveria lëshoi ​​njoftime për Tinder, Grindr, Tagged, Skout dhe SayHi për të hequr shërbimet e takimeve nga ky vend.

Marrëdhëniet jashtëmartesore dhe homoseksualiteti janë të paligjshme në Pakistan, vendi i dytë më i madh me shumicë myslimane në botë, shkruan BBC.

Një zëdhënës i Autoritetit të Telekomunikacionit të Pakistanit (PTA) i tha BBC-së, se vendi i tij mund të rishikojë veprimin nëse aplikacionet bien dakord të moderojnë atë që e konsiderojnë si material jo etik dhe të pahijshëm në platformat e tyre, transmeton Telegrafi.

Grindr, Tagged dhe Skout nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve nga Reuters dhe BBC në lidhje me këtë çështje.

Të dhënat nga firma analitike Sensor Tower tregojnë se Tinder është shkarkuar më shumë se 440,000 herë në Pakistan brenda 12 muajve të fundit. Grindr, Tagged dhe SayHi ishin shkarkuar secili rreth 300,000 herë dhe Skout 100,000 herë në të njëjtën periudhë, njoftoi Reuters. /Telegrafi/