Nga: John Rentoul / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Fjala “mesianik” është përdorur për Tony Blairin, madje edhe nga njerëz që e pëlqejnë dhe që kanë punuar me të. Ndoshta nuk është termi më i mirë, meqë ka konotacione biblike për të përshkruar rolin e tij në raportin Izrael-Palestinë. Por, ajo e përçon saktë bindjen e tij se ai ka dhunti të jashtëzakonshme për të afruar palët të cilat duket se janë të papajtueshme.


Vetëbesimi i tij nuk është i pajustifikuar. Brenda një viti pasi u bë kryeministër, ai kishte negociuar marrëveshjen në Irlandën e Veriut. Nëse kjo i dha atij një mendim të lartë për aftësinë e vet për të kapërcyer urrejtjet e lashta, kush mund ta fajësonte për këtë?

Një vit më pas, ai mobilizoi aleancën e ndarë të NATO-s, duke përfshirë edhe një Bill Clinton të përmbajtur, për të detyruar diktatorin serb Slobodan Millosheviq të ndalonte përpjekjen për të dëbuar popullsinë shqiptare të Kosovës nga atdheu i tyre.

Këto suksese çuan në mendjemadhësinë e pushtimit të Irakut, kur Blair mendoi se do të ishte në gjendje të bindte popullin britanik se një tjetër president amerikan, George W. Bush, kishte të drejtë ta largonte një tjetër diktator.

“Kalova pranë një protestuesi para disa ditësh”, tha ai para zgjedhjeve të vitit 2001, përpara 11 shtatorit dhe Irakut. “Po bërtiste dhe ulërinte, dhe unë thashë, ta pyes veten si ndihet ai, çfarë mendon me të vërtetë? Ndoshta mund të uleshe me të në një dhomë dhe të bëje një bisedë krejtësisht racionale”.

Ai vazhdoi të besonte në fuqitë e tij të jashtëzakonshme edhe pasi la detyrën, duke marrë rolin e të dërguarit për Lindjen e Mesme, duke vepruar në emër të OKB-së, ShBA-së, BE-së dhe Rusisë. Detyra e tij ishte të ndihmonte në zhvillimin e infrastrukturës së Palestinës në mënyrë që të ishte e aftë për shtetësi të pavarur. Kjo ishte baza thelbësore e retorikës së lartë të zgjidhjes me dy shtete, duke përfshirë Blairin në negociata të pakëndshme për fermat e ujërave të zeza dhe rrjetet e telefonisë mobile. Por, ai gjithmonë e dinte se ishte politika e lartë e marrëdhënieve mes administratës amerikane, qeverisë izraelite dhe vendeve arabe ajo që do të vendoste çështjen, dhe gjithashtu punoi pa u lodhur në atë nivel.

Pa sukses. U tërhoq pas tetë vjetësh, në vitin 2015, me çështjen e shtetësisë palestineze jo më afër realizimit.

Ambicia e tij nuk ishte e kufizuar në Lindjen e Mesme. Ai lejoi që emri i tij të propozohej për postin e ri të presidentit të BE-së në vitin 2009, edhe pse nuk kishte kurrë ndonjë shans real që liderët e vendeve të BE-së - përfshirë Angela Merkelin e Gjermanisë - të emëronin dikë që do të kërcënonte kaq shumë pushtetin e tyre. Ata emëruan një belg të panjohur në vend të tij.

Ambiciet e tilla pas postit të kryeministrit, mund të duken iluzive, por kishte një cilësi çërçilliane në këmbënguljen e Blairit se ai “nuk do të dorëzohej kurrë”.

Dhe, kurrë nuk u dorëzua. Brenda disa javësh pas mizorive të Hamasit më 7 tetor 2023, Benjamin Netanyahu, kryeministri izraelit, diskutoi me Blairin një plan për ta vendosur atë si një “koordinator humanitar” për Rripin e Gazës, si një mënyrë për të zbutur kritikat ndërkombëtare për vuajtjet e civilëve të shkaktuara nga lufta kundër Hamasit. Asgjë nuk doli as nga kjo, por Blair vazhdoi të fliste me akterët e pushtetit, përfshirë Jared Kushnerin, dhëndrin e Donald Trumpit, i cili ia hapi atij rrugën drejt presidentit.

Blair, tani 72 vjeç, e teproi në një takim në Shtëpinë e Bardhë, muajin e kaluar, kur i tha presidentit se e kishte propozuar për Nobelin për Paqe dhe duke ia paraqitur një plan, kryesisht të hartuar nga vetë Blair, për qeverisjen e Gazës të udhëhequr nga ShBA-ja pas një armëpushimi.

Në ditët e fundit, plani i Blairit është rënë mbështetur nga ShBA-ja, Izraeli dhe shtatë vende arabe. Pavarësisht një deklarate të Hamasit se Blair është “figurë e padëshiruar në kontekstin palestinez”, supozohet se Hamasi do të nënshkruajë marrëveshjen.

Njoftimi i Trumpit për planin për një “Bord Paqeje” përmend Blairin. “Një nga personat që dëshiron të jetë në bord është ish-kryeministri britanik Tony Blair”, tha Trump, sikur roli i Blairit të mos ishte vendosur ende, por vazhdoi duke e përshkruar atë si një “njeri i mirë, shumë i mirë”.

Do të ishte e jashtëzakonshme nëse energjia, këmbëngulja dhe optimizmi i Tony Blairit - që kufizohet me iluzionin - do të sillnin si shpërblim paqen në Gazë. Dhe, edhe më e jashtëzakonshme do të ishte nëse ai, i përçmuar nga kaq shumë vetë për rolin e tij në një pjesë tjetër të Lindjes së Mesme, do të përfundonte krah Donald Trumpit si fitues të Çmimit Nobel për Paqe. /Telegrafi/