LAJMI I FUNDIT:

Pagesa për mbeturina do të bëhet në komunë: Kompania pastrimi thotë se punëtorët nuk i humbin vendet e punës

Pagesa për mbeturina do të bëhet në komunë: Kompania pastrimi thotë se punëtorët nuk i humbin vendet e punës

Faturat e muajit janar për shërbimet e Kompanisë “Pastrimi” për mbeturina do ti marrin nga Komuna e Prishtinës, po ashtu banorët e Prishtinës pagesën e faturave duhet ta bëjnë në komunë si dhe në bankat që funksionojnë në vend. Heqja e faturimit nga Kompania “Pastrimi”, nuk shuan vendet e punës thonë zyrtarë të kësaj kompanie komunale.

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës kanë thënë Për Telegrafin se ndryshimi i formës së faturimit është bërë për shkak të rritjes së efikasiteti dhe pastrimit më të mirë të kryeqytetit.


“Ndryshimi i formës së faturimit është bërë për shkak që Komuna të menaxhojë direkt me mbeturinat. Përmes planit të ri aksional dhe logjistik do ta përfshijmë të gjithë territorin e Komunës së Prishtinë, e jo siç ka qenë deri më tash që Kompania ‘Pastrimi’ ka pastruar vetëm në disa zona. Kështu, nisim reformimin e sistemit për menaxhimin e mbeturinave, drejt një Prishtinë sa më të pastër”, ka thënë zëdhënësi i komunës Adonis Tahiri.

Ai ka treguar se tash ka filluar shpërndarja e faturave për mbeturina nga Komuna e Prishtinës.

“Ka filluar shpërndarja e faturave tek qytetarët, nga ana e Komunës. Si rrjedhojë, qytetarët do ta paguajnë këtë shërbim në Komunë, e jo më në kompani siç ka ndodhur më parë. Ky është hapi i parë por tejet i rëndësishëm në kuadër të reformave që do të ndodhin për Prishtinën e pastër, në çdo lagje e në çdo fshat”, ka thënë Tahiri.

Përveç komunës pagesa e mbeturinave sipas tij, nga qytetarët do të mund të bëhet në filialet e bankave si dhe në institucionet e tjera financiare.

Zëdhënësi Tahiri ka treguar se Komuna e Prishtinës, do ta paguaj Kompaninë “Pastrimi” për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.

“Komuna e Prishtinës do ta paguaj kompaninë ‘Pastrimi’ për shërbime. Pra do të thotë do t paguam nëpërmjet një kontrate për shërbime”, tha Tahiri.

Ndërkaq zëdhënësja e Kompanisë “Pastrimi” Arbnore Ademi ka thënë për Telegrafin se Kompania “Pastrimi”, do të vazhdon të kryej shërbimin e mbeturinave siç ka kryer deri më tani, përveç inkasimit i cili edhe me ligj është kompetencë e komunave.

Ajo ka treguar se risi nga 1 janari është se Kompania “Pastrimi”, do t’i largojë mbeturinat inerte dhe të vëllimshme.

Ademi ka thënë se asnjë punëtorë nuk do ta humb vendin e punës. “Disa punëtor që kanë punuar nëpër sportele të kompanisë janë risistemuar në punë tjera brenda kompanisë, ndërsa disa të tjerë ende punojnë nëpër zyre te pagesave dhe ata të cilët shpërndajnë fatura, mirëpo që planifikohet që të sistemohen edhe ata, por në asnjë mënyrë asnjë punëtor të mbetët pa punë”, theksoi Ademi, shkruan Telegrafi.

Por qytetarët që kanë obligime ndaj Kompanisë “Pastrimi”, deri më 31 dhjetor 2017, ato duhet t’i kryejnë në zyrat e kompanisë. /Telegrafi/