LAJMI I FUNDIT:

Pa kompromis si Rovena!

Pa kompromis si Rovena!

Rovena Dilo një emër i njohur i skenës muzikore shqiptare që prej më shumë se tre dekadash e shohim përmes muzikës dhe performancave të saj skenike si një vajzë që ka thyer tabutë dhe ka tentuar të sjellë një frymë krejt tjetër, duke mos iu ndarë dëshirës së madhe për të bërë muzikë të mirë dhe mbi të gjitha, duke mos bërë kompromis me askënd dhe asgjë kur flitet për art të vërtetë.

“Elegance”
Foto: Endrit Mërtiri


Dëshira e artistit për t’u shprehur përmes artit të tij për të komunikuar me publikun përmes performancave është padyshim ajo që i grish të gjithë krijuesit që në krye të herës. E gjithë kjo energji vjen si një zbulim i brendshëm, një kërkim për të gjetur tek vetja ndjenjën, dëshirën, trishtimin, e mbi të gjitha fuqinë për të përcjellë tek të tjerët atë që fle në shpirtin tënd, artin.

Për gjithë sa thamë më lart Rovena është munduar të tejçojë tek dashamirësit e muzikës së saj gjithmonë mesazhe te forta dhe ide te rëndësishme, qoftë për ndjenjë më sublime siç është dashuria, por gjithashtu edhe përsa i përket çështjeve të rëndësishme sociale, që vendi ynë nuk i ka patur të pakta gjatë këtyre viteve. Në intervistën tonë jemi munduar të kuptojmë më shumë rreth projekteve të fundit në të cilat Rovena ka marrë pjesë, kënga, kinemaja, poezia, letërsia dhe të gjitha emocionet që një artiste si Dilo rezervon gjithmonë për publikun.

Në fillim duam të ndalemi tek kënga e fundit, si erdhi kjo këngë, si lindi ky projekt dhe diçka rreth prodhimit të saj?

Kënga vjen gjithmonë si nevojë e artistit për t’u shprehur, për të komunikuar me njerëzit, për të qenë prezent. Është një nevojë bazike e artistit dëshira për të realizuar një krijim, por në këtë rast, frymëzimi ishte i duhuri. Me pak fjalë fati ishte me ne dhe këngën. Adi është një mjeshtër i kompozimeve të suksesshme, atij i takon një pjesë e mirë e suksesit. Di të them se kënga më ngjiti që në notat e para, e megjithëse ideja e parë ishte për t’u kënduar duet, meqë fillimisht ne kishim menduar të dilnim në një duet me Flor Nazifin, dhe Flori nuk e gjeti veten këtu, unë këmbëngula që kënga të mbetej sido që të vinte puna. Dashuritë me “dëgjim të parë” nuk ndodhin gjithmonë.

Do të realizoni një videoklip për këngën?

Jo nuk besoj, kënga e ka marrë rrugën e saj. Ka një filmim të bukur, të cilin “Kënga Magjike” e realizon gjithmonë, si në prezantimin e parë, po ashtu edhe në “Netët finale”.

Në këtë “Këngë Magjike” të pamë jo vetëm si këngëtare, por edhe si tekst-shkruese, e sheh krijimtarinë në poezi si një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë edhe në të ardhmen?

Po, është e vërtetë, poezia më ka ndjekur këmba-këmbës, ashtu si edhe letërsia. Në fakt unë nuk i jam ndarë të dyjave. Kanë qenë pasioni im i madh! Kam shkruar gjithë jetën vargje, por vargjet e këngëve janë një proces krejt ndryshe. Duhet t’i përshtatesh metrikës së vargut të kënduar, modës, tregut, etj. Bashkëpunimi me Adi Hilën ishte kaq i bukur dhe ma bëri të lehtë të tërën. Tekstet e këngëve të Klint Çollakut, Klejti Mahmutajt, Enson Brahës, Classic Boys, ishin kënaqësi dhe motivim për të vazhduar këtë karrierë jo të re për mua, por që e mbaja krejt private, pra vetëm për vete. Dua ta vazhdoj, dhe me një bashkëpunëtor si Adi jam e sigurt që sukseset nuk do të mungojnë.

Së fundmi të kemi parë në një film shumë interesant, me regji të Dionis dhe Klajdi Papadhimitri, si lindi ky film dhe si erdhi oferta për t’u bërë pjesë e kastit?

Se si lindi filmi duhet të pyesni Papadhimitrët, por pjesëmarrja ime ishte vendim i Dionisit. Nga një takim pune vite më parë si duket kishte mbetur një shije e mirë dhe ai me syrin e një regjisori ka parë mesa duket tek unë, diçka që vetëm një regjisor di ta artikulojë. Shpresoj të mos e kem zhgënjyer, por besoj se jo, derisa komplimente kam patur nga një njeri që e vlerësoj veçanërisht në këtë film, mjeshtri Spartak Papadhimitri.

Si ishte raporti me partnerin në film, ju luanit rolin e bashkëshortes se një ndër aktorëve më në zë shqiptar, çfarë raporti u krijua dhe a të ka ndihmuar Gent Kame?

Po, partneri im, Gent Kame, është një emër i spikatur në kinematografi dhe një artist i vërtetë. Gjithçka mu duk e lehtë dhe e natyrshme, sigurisht edhe falë partnerit në film. Është kënaqësi të punosh me Gentin!

Pas kësaj eksperience, do të nisësh një karrierë në kinema apo teatër?

Nuk bëhet fjalë për karrierë! Ishte thjesht një eksperiencë, e cila nëse përsëritet do ta mirëpres! Aktrimi nuk është profesioni im dhe impenjimet e mia më çojnë tjetër kund. Falënderoj Zotin që më jep mundësi të ndryshme për të sprovuar veten dhe për të gëzuar jetën time.

Le të ndalemi pak tek skena artistike në vend, mesa duket po hasim shumë problematika, ju si e shihni raportin e artistit me skenën në Shqipërinë bashkëkohore?

Vendet si Shqipëria, kanë një tranzicion të gjatë dhe të mundimshëm. Qyteti i Tiranës, vendi ku kryesisht luhen të gjitha lojrat, edhe ajo artistike, është pothuajse i transformuar. Shumica e popullsisë ka lëvizur dhe ata që kanë ardhur nga të katër anët e Shqipërisë, në Tiranën tonë, duan ta fillojnë gjithçka nga e para. Këtu përplaset ajo që ka qenë e ndërtuar me atë që do të ndërtohet dhe sigurisht, edhe skena e vuan këtë. Gjithkush dëshiron të thotë “fjalën e tij”, por jo çdo “krrakërrimë” laraskash është melodi. Çmenduria e njeriut shqiptar pa vlera artistike, por me një ambicie tajfunike, përplaset pikërisht në skenë. Mesa duket media është e gatshme të bëjë lloj- lloj kompromisesh, boll të ekzistojë pa kosto ose me kosto sa më të ulët. Dihet, gjërat e mira kushtojnë, ndaj o burra, kap ç’mund të kapësh, kështu mund ta përshkruaj unë skenën e madhe të artit dhe medies!

Po sa i përket medies, si i trajton ajo artistët?

Pak a shumë e preka më sipër, por me dëshirën për ta zgjeruar disi, dua të them se në një treg të çorientuar artistik, ku gjithkujt i bëhet vend në skenë, rolin kryesor e luan media. Nëse media vendos kritere përzgjedhëse banaliteti e ka të vështirë të çajë, e jo më të shquhet. Por kjo, jo gjithmonë ndodh, prandaj katrahura vazhdon dhe na ka mbetur veç t’i lutemi Zotit për të mos vazhduar më.

Në këtë pjesë të dytë të intervistës sonë kam rezervuar disa pyetje për stilin e jetës së Rovena Dilos, të frymëzon letërsia, konsumon libra dhe çfarë lloj letërsie pëlqen?

Libri është gjithmonë mik i mirë! Ka qenë një kohë që zinte vendin e parë, por jo më. Teknologjia ka bërë të vetën. Megjithatë unë lexoj vazhdimisht, në këtë moment kam në dorë librin e një instruktori amerikan, me ushtrimet e të cilit edhe palestrohem. Shaun T është autori “T is for transformation”, një libër jo letrar, por motivues dhe interesant. Tashmë nuk ka më vetëm letërsi.

E ndjek jetën artistike në vend, çfarë mendon për teatrin, kinemanë dhe muzikën?

Kinemanë e frekuentoj vazhdimisht, por më tepër filma të huaj. Teatrin pak, ndërsa muzikën shqiptare aq sa ma kap veshi. Nga gjërat e mira nuk shpëtoj dot, ato jo vetëm i kap veshi, por edhe kërkon t’i dëgjojë vazhdimisht. Tashmë jam shumë përzgjedhëse, nuk kam nevojë për gjithçka servir tregu shqiptar.

Ju keni një histori që është e lidhur me gjuhën, sepse keni studiuar shqipen, sa ka ndikuar kjo në përzgjedhjen e teksteve të duhura për këngët tuaja?

Gjuha është shumë e rëndësishme, është thelbësore për çdo profesion. Sa më e zhdërvjellët gjuha, aq më i saktë dhe i kuptueshëm mendimi dhe komunikimi i individit. Tani, imagjinoni këngën se me çfarë gjuhe duhet të ngjizet. Me më shprehësen unë jam munduar të kem tekste me mesazh dhe emocion, por çfarë batërdie idiotësirash dhe banaliteti dëgjoj, mjerë fëmijët e vegjël dhe adoleshentët. Kjo është një fatkeqësi kombëtare, sepse muzika formon jo vetëm trurin, por edhe shpirtin e një populli, e për këtë s’ka kush kujdeset më!

Le të flasim pak për stilin dhe pamjen tuaj, jeni konsideruar si një ndër vajzat e veshura më mirë në skenën shqiptare, ku frymëzohesh dhe influencohesh, a merret dikush me pamjen tuaj në publik?

Ashtu si çdo gjë, edhe shija e veshjes zhvillohet, ne jemi gjithmonë në kërkim të transformimit dhe përmirësimit, por tek unë kjo është sintetizuar në: sa më thjeshtë. Pa xixa, atllase, pupla, ngjyra të ndezura, etj. Parapëlqej ngjyrën e zezë, tashmë më pëlqen stili “rock-chic”, por nën frymën avangardiste. Më pëlqen silueta, nuk më pëlqen më “t’i shkoj unë veshjes pas fijes”, por të vijë ajo tek qefi që kam”. Për të mbërritur këtu duhet të shohësh shumë, të konsultosh shumë imazhe, individë influencues, shkolla mode, etj. E rëndësishme është të jesh rehat dhe të gjesh qetësinë me veten edhe tek veshjet.

Rikthehemi tek muzika, duam një koment të sinqertë për atë që shihni çdo ditë në ekran dhe për muzikën që prodhohet në vend?

Unë shoh dhe dëgjoj pak muzikë shqiptare, nuk e konsumoj atë siç konsumoj ujin gjatë ditës. Por aq sa dëgjoj, mendoj që lë për të dëshiruar. Jam e shqetësuar për rrymat muzikore që po rrisin brezin e ri shqiptar. Po e bëjnë më agresiv, më nervoz dhe të pakënaqur, dëgjoj ndonjëherë budallallëqet që recitojnë bejtexhinjtë e quajtur reperë dhe them: “O Zot në dorën e çfarë injorantëve kanë rënë fëmijët shqiptarë”. Fati i keq kozmik, nuk na ndahet as në muzike, imagjino tjetërkund. Për të vënë duart në kokë.

Duket se keni zgjedhur të jeni shumë selektive për materialet që sillni, është një lëvizje strategjike?

Nga natyra nuk kam një ambicie të padurueshme. Nuk kam ankth të jem prezente në çdo moment. Nuk e vras shumë mendjen dhe ja ku dal rrallë. Ndoshta për këtë arsye dhe për faktin që nuk pranoj çdo material që më jepet është krijuar mendimi i mësipërm. Por ja, që ndonjëherë rrallë e për mallë ka vlerë, por ama tregu sot ka
të tjera rregulla, duhet të prodhosh më shpesh, sepse “Fast everything” është bërë e gjithë jeta.

Sa kohë kaloni në studio për një projekt të ri?

Studio të merr shumë më pak kohë, se përgatitja e këngës jashtë saj. Studio është vetëm fundi i realizimit. Një ditë, maksimumi dy.

Realizimin e një koncerti recital me këngë tuajat, e keni menduar ndonjëherë?

E kam menduar, por nuk e kam realizuar!

Le të flasim pak edhe për një anë tjetër të Rovenës, përgjegjësia sociale. Duket sikur me daljet tuaja në publik dhe me projeket tuaja përçoni gjithmonë mesazhe të rëndësishme, e konsideron veten Rovena një feministe?

Njeriu është një investim shumë dimensionesh, familjar, shoqëror, vetjak, rrethanor, individët e formuar mirë janë ata të cilët të gjitha këto dimensione i kanë të shëndetshme. Atëherë je një qytetar i ndërgjegjshëm dhe shoqërisë i jep përveçse i merr. Unë mendoj se njerëzit më shumë duan të marrin se të japin. Por kot nuk thonë, më shumë gëzohet ai që jep, se ai që merr. Prandaj edhe për mua kënaqësia më e madhe është kur bëj diçka, flas në planin publik, kjo arrin të prekë e të gëzojë, të frymëzojë qoftë edhe një person të vetëm. Ndaj dua të jem motivuese dhe e ndërgjegjshme për gjërat që them dhe bëj. Po, besoj jam një feministe, por jo nga ato që ngrenë një flamur organizatash. Jam feministe për shembullin personal që sjell si një femër e fortë, e pavarur, krenare dhe në një Shqipëri ku femra nëpërkëmbet dhe ku mentaliteti vazhdon ta ndrydhë atë dhe ta bëjë të ndjehet e dobët.

Para disa kohësh keni themeluar një fondacion, me çfarë merret specifikisht, cili është qëllimi dhe çfarë synoni?

Para një viti unë së bashku me bashkëpunëtorin tim, koreografin dhe balerinin Eltion Merja dhe disa miq tanët çelëm fondacionin ARKU, i cili ka për qëllim të promovojë krijime dhe projekte të ndryshme artistike dhe kulturore, por gjithmonë me një frymë sociale dhe edukative, krahas zbavitjes dhe argëtimit që janë pjesë e natyrshme e artit.

Cilat janë projektet më të fundit që do të ndërmarrë nisma juaj?

Kemi disa projekte. Ai për të cilin ka nisur puna, është projekti “Divat”, në bashkëpunim me organizatën Connex. Shumë shpejt kryeqyteti do të ketë një show tjetër në përmasat dhe cilësinë që Tirana e meriton. Projekti tjetër është një organizim masiv dhe surprizues me pjesëmarrjen e profesionistëve dhe të publikut që do jetë i pranishëm.

Më folët për një koncert në fund të prillit, “Divat”, së pari përse është përzgjedhur ky emër dhe çfarë kuptimi ka?

Është përzgjedhur ky emër, pasi show do jetë i bazuar në këngët, hitet e emrave më të dashur të skenës shqiptare. Skena shqiptare ka Divat e saj dhe ky do jete një koncert i disa prej tyre!