Ozzy Osbourne, frontmeni i grupit të famshëm të viteve ’70, Black Sabbath, i njohur për sjelljet ekstreme si kafshimi i kokës së një lakuriqi në skenë dhe jeta e shfrenuar me drogë, është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar familja përmes një deklarate të cituar nga BBC.

I njohur për fansat si "Princi i Errësirës" dhe "Kumbari i Heavy Metal-it", Osbourne e nisi karrierën me këngë të fuqishme të Black Sabbath-it, si “Paranoid”, “War Pigs” dhe “Sabbath Bloody Sabbath”. Këtyre u shtohen edhe projektet e tij si artist solo, me të cilat arriti të shesë mbi 100 milionë albume në mbarë botën, shkruan Reuters.


Stili i tij muzikor, me riffe të forta kitarash dhe tekste që trajtonin temat e errëta si depresioni, lufta dhe apokalipsi, kombinohej me një ndjesi të theksuar të teatralitetit “Halloween”. Në skenë, shpesh hidhte copa mishi të papërpunuar mbi publikun – por momenti që bëri histori ndodhi më 1982, kur një fans i hodhi një lakuriq të vërtetë në skenë dhe Ozzy e kafshoi duke menduar se ishte lodër.

Më pas, ai tha se e kuptoi gabimin sapo e kafshoi dhe nxitoi për një injeksion kundër tërbimit. Më vonë, ai nisi të shiste lodra në formë lakuriqi me kokë të heqshme – të markuara me emrin e tij.

Karriera e tij shpesh ishte në shënjestër të grupeve konservatore dhe fetare, të cilat e akuzonin për ndikim negativ tek të rinjtë dhe për adhurim të djallit. Megjithatë, Osbourne gjithmonë e pranoi jetën e tij të tepruar dhe tekstet shpesh të errëta, por i hodhi poshtë akuzat ekstreme se ishte satanist.

“Kam bërë gjëra të këqija në jetë. Por nuk jam djalli. Jam thjesht John Osbourne: një djalë i klasës punëtore nga Aston, që la punën në fabrikë për të kërkuar pak argëtim”, shkroi ai në autobiografinë e vitit 2010.

John Michael Osbourne ishte fëmija i katërt nga gjashtë fëmijë, i lindur dhe rritur në Aston, një lagje e qytetit Birmingham, në Anglinë qendrore. Ai vuante nga disleksia, la shkollën në moshën 15-vjeçare dhe punoi në disa vende pune të rëndomta. Në një periudhë të shkurtër, u burgos për një vjedhje. Më pas erdhi grupi Black Sabbath.

“Kur isha fëmijë, po të më kishin vënë përkrah djemve tjerë të lagjes dhe të më kishin pyetur se cili prej nesh do të arrinte moshën 60 vjeç, me pesë fëmijë, katër nipa dhe shtëpi në Buckinghamshire dhe Kaliforni – nuk do të vija bast për veten, as për qejf.”

Pikërisht këto faza të mëvonshme të jetës së tij i hapën rrugën rilindjes së imazhit të tij në vitin 2002, kur u shfaq në reality show-n amerikan “The Osbournes”.

Kamerat e ndoqën këtë ikonë të vjetër të rock-ut në përditshmërinë e tij brenda një vile luksoze, ndërsa fliste me theksin e theksuar të Birmingham-it dhe reagonte me hutim ndaj sjelljeve të familjes – format që i sollën atij dhe familjes popullaritet të ri.

Familja e tij përfshinte bashkëshorten dhe menaxheren Sharon, si dhe pesë fëmijët, përfshirë Jack, Kelly dhe Aimee, si edhe disa nipër e mbesa. /Telegrafi/