OVL-UÇK: Ta quash një gjeneral të UÇK-së ‘njeri i Serbisë’, e papranueshme dhe politikisht helmuese

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka dënuar ashpër “gjuhën fyese” të përdorur ndaj ish-ushtarëve dhe komandantëve të luftës çlirimtare.
Reagimi i kësaj organizate vjen pas përleshjes që ndodhi sot mes kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe kryetarit të degës së LVV-së në këtë komunë, Hysni Mehani, teksa ky i fundit ka pësuar lëndime trupore.
Ai ka thënë se është sulmuar nga Lushtaku “dhe banda e tij”.
Ndërkaq, vetë Lushtaku reagoi, duke thënë se “pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skenderaj”.
“E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, shkroi kryetari i Skenderajt.
E OVL e UÇK-së tha se “të quash një gjeneral të UÇK-së ‘njeri i Serbisë’, ata që u rreshtuan për lirinë e Kosovës, është e ulët, e papranueshme dhe politikisht helmuese”.
“Asnjë interes partiak, asnjë mëri personale dhe asnjë rivalitet mes politikanëve nuk i jep askujt të drejtën të njollosë luftën çlirimtare apo të çnderojë burrat që derdhën gjakun për këtë shtet”.
“Ajo që po shohim tani, një fushatë përshkallëzuese fyerjesh, etiketimesh dhe urrejtjeje e drejtuar ndaj veteranëve të UÇK-së dhe komandantëve të tyre, nuk është debat demokratik. Është degradim moral. Dëmtohet jeta publike, thellohen ndasitë dhe sulmohet vetë themeli mbi të cilin u farkëtuan liria dhe sovraniteti i Kosovës”, tha kjo organizatë në reagimin në Facebook.
OVL e UÇK-së kërkoi që çdo subjekt politik dhe mbështetësit e tyre të distancohen qartë dhe menjëherë nga një gjuhë e tillë.
“Mospajtimet politike nuk mund të kthehen në sulm ndaj luftës çlirimtare. Kushdo që e shkel këtë kufi, do të përballet me përgjigjen tonë të vendosur, publike dhe të pakompromis”, tha OVL e UÇK-së. /Telegrafi/






















































