Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot në një konferencë për media lidhur me vendimet e saj për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe kritikat që ka marrë gjatë mandatit.

“Siç kanë thënë disa para nesh, edhe shumë më të mençur, në qoftë se askush nuk të akuzon për asgjë, atëherë nuk ke vepruar për asgjë,” tha Osmani.


Ajo ka rikujtuar vendimet e saj të mëparshme.

“Në vitin 2021, kur partia në pushtet që kishte më shumë se 50% të votave kërkonte që unë të shtyja datën e zgjedhjeve lokale dhe kishim një opozitë më të vogël se kjo sot, unë vendosa në favor të kërkesës së opozitës që të mos shtyhej data e zgjedhjeve lokale. Edhe pse zgjodha datën e favorshme për opozitën, prapë u akuzova se po konsultohem e po ia bëj qejfin Kurtit”, tha Osmani.

Presidentja theksoi se gjatë këtyre pesë viteve në detyrë, pavarësisht vendimeve që shpesh ishin në kundërshtim me qeverinë, ajo ka qëndruar e përkushtuar.

“Ka dhjetëra raste gjatë këtyre pesë viteve që jam Presidente, ku pavarësisht faktit që kam dalë me qëndrime krejtësisht të kundërta me ato të qeverisë, përsëri nuk ju ka rënë të gjithë mirë, janë ankuar e akuzuar. Pavarësisht këtyre akuzave që do të vijnë sot, nesër e pasnesër do të vendos dhe do të mbroj interesin e Republikës së Kosovë”, është shprehu Osmani.

Ajo ka dërguar edhe një mesazh për kritikuesit e saj.

“Ata që akuzojnë pa lexuar, pa analizuar dhe pa menduar gjatë, është mirë të mendojnë që do të vijnë tek unë edhe pas këtyre zgjedhjeve për të kërkuar mandatin, kushdo që fiton. I kuptoj kritikat dhe qëndrimet e ndryshme, por detyra ime si presidente është të sigurohem që të kemi një datë kur zgjedhjet mund të organizohen”, u shpreh Osmani.

E pyetur sa i përket nëse do të rikandidojë edhe për një mandat si Presidente, Osmani u shpreh se nuk është që ka pasur diskutime për këtë.

“Nuk kemi diskutime, sepse këto do të fillojnë pasi të kemi një Kuvend të ri të konstituuar dhe Qeveri të re”, tha ajo. /Telegrafi/