LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Do të jem Kryeparlamentare, ose ministre e Punëve të Jashtme

Osmani: Do të jem Kryeparlamentare, ose ministre e Punëve të Jashtme

Kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e 6 tetorit, Vjosa Osmani është deklaruar për postet që potencialisht mund t’i mbajë në Qeverinë e re.

Osmani theksoi se do të respektohet vullneti i qytetarëve që kryeministër të jetë Albin Kurti, kurse sa i përket posteve të tjera, ajo tha se ende nuk janë diskutuar këto detaje.


Në një intervistë në Opinion të TV Klan, ajo përmendi Kuvendin dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

“Unë personalisht, do të shoh, akoma nuk kam vendosur për këtë temë. Do të jetë vendimi i imi natyrisht në konsultim me partinë që përfaqësoj dhe unë do të jem aty ku t’i shërbej vendit tim më së miri. Qoftë në krye të Kuvendit qoftë në krye të politikës së jashtme. Megjithatë unë nuk e kam marrë këtë vendim”.

Ajo ka folur edhe për kreun e LDK-së Isa Mustafa, dhe pozicionimin e tij pas formimit të qeverisë.

“Zoti Mustafa nuk ka shprehur interesim që të jetë pjesë e qeverisë”.

Po ashtu ajo pranoi se posti i Presidentit të ardhshëm të Kosovës do t’i jepet LDK-së, ndërsa sipas saj ende nuk ëshët folur për emra.

“Ne akoma nuk jemi ulur të bisedojmë për çështjen e Presidentit. Jo vetëm që është e mundshme, por patjetër që LDK dhe Vetëvendosje duhet të ulen dhe të bisedojnë se ne po merremi vesh për një mandat katërvjeçar. Rrjedhimisht secila pozitë politike që derivohet gjatë këtij katërvjeçari duhet të jetë pjesë e kësaj marrëveshje. Ne nuk kemi folur as në kontekst të emrave. Zoti Mustafa kur ka folur për çështjen e presidentit, ka thënë se duhet t’i takojë LDK-së”, tha ajo.