Osmani pas takimit me Baker: Me SHBA-të, Kosova është më e fortë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker.
Në një postim në Facebook, Osmani ka shprehur kënaqësinë për këtë takim, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar,” ka shkruar ajo.
Presidentja ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si një mundësi me përfitime të ndërsjella.
Gjithashtu, Osmani ka nënvizuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik, ndërsa mbështetja amerikane në këtë drejtim është vlerësuar si jetike./Telegrafi/





















































