LAJMI I FUNDIT:

Ornela Vorpsi me ekspozitën e parë personale në Shqipëri: Me “Providence”, rreth Edit…!

Ornela Vorpsi me ekspozitën e parë personale në Shqipëri: Me “Providence”, rreth Edit…!

Nisi të shkruajë në Paris, kur ishte 29 vjeçe. Arsyeja që romanet e saj nuk kanë ardhur në gjuhën shqipe për lexuesin shqiptar, kanë një shkaktar. Ai quhet Edi Rama.

Ornela Vorpsi nuk e ka fshehur kurrë simpatinë që ka për mikun, ish-pedagogun e saj të dikurshëm Edi Rama, aq sa e tha publikisht se projekti i përkthimit të veprave të saj në shqip i ishte premtuar nga kryeministri. Por, ky i fundit, me punët e shumta politike që ka, nuk ka gjetur kohën të ulet e të përkthejë Ornelën në shqip.


E ftuar sot në COD, në ambientet e Kryeministrisë, ku do të ketë të parën ekspozitë personale vetjake në Shqipëri, “Providence”, Ornela rrëfen për miqtë e librit, afërsinë, por edhe distancën që ka krijuar me mikun e saj, Edi Rama.

“Unë Edin e kam takuar në moshën 18-vjeçare në Institutin e Arteve. Vija nga një familje që babanë ma futën në burg, dhe pa vdekur Enver Hoxha nuk më lejohej të ndiqja Akademinë e Arteve. Pas vdekjes së tij, nisa studimet aty ku doja. Dhe u gjenda në Akademi, kur Edi ishte pedagog. Ishte vetëm 22 vjeç, dhe ishte aq i aftë, sa e kishin mbajtur në Katedër”, rrëfen ajo tek “Letërsia dhe Qyteti”.

“Edi, ishte dukshëm në distancë të jashtëzakonshme me ç’të ofronte Shqipëria atëkohë. Ndoshta i kishte edhe mundësitë. Por, sido që të jetë, ai kishte karizmën, sharmin dhe kishte lexuar jashtë mase. Për mua, humnera mes Edit dhe profesorëve të tjerë ishte e madhe”, rrëfen Ornela, për artistin kryeministër që sot do ta presë në COD për ekspozitën e parë të saj në vendin ku lindi.

“E kush nuk e donte Edin?”, pyet ajo në mënyrë retorike. “Me Edin, isha e dashuruar në mënyrë platonike. Ai nuk më ka dashur. Si njeri, për mua, ka qenë një gjeni”, dhe salla shpërthen duke qeshur nga sinqeriteti pa dorashka i vajzës bukuroshe, sot 49-vjeçare, nënë e një vajze nëntëvjeçare.

“Duhet ta dini, që kur ishte në Paris, magjepsi gjithë Parisin. Sepse ai ka elokuencë dhe kulturë të gjithanshme. A mendoni, a kishte në atë kohë një njeri aq të ri dhe aq të ditur që fliste për filozofinë e Martin Heideggerit” thotë Ornela Vorpsi, ndërsa nuk fsheh admirimin për Edi Ramën, artist.

Por, ngacmimit të gazetareve për të vlerësuar Edi Ramën si politikan, Ornela i shmanget, por me takt.

“Unë kam 27 vjet që jetoj jashtë vendit. Nuk e njoh Edin si politikan. Nuk mund ta ndjekë në gjithë këtë dimension, sepse nuk jam e zhytur në jetën shqiptare”, thotë ajo, madje dukshëm me një lëvizje koke, kërkon të shprehë se as nuk do ta shohë këtë pozicion të mikut të saj, edhe pse, ka një detaj, që e vë në dukje me nota superlative për kryeministrin.

“Por, kini parasysh, a e imagjinoni dot se kryeministri ka bërë një COD (center for openness and dialogue) brenda Kryeministrisë. Nuk kam parë, dhe kam shëtitur shumë, në asnjë shtet tjetër që në gjirin e pushtetit të vetë, të sjell qytetarin brenda saj, me artin dhe kulturën e edukimin. Një qeveri që ndërton një hapësirë ku vjen qytetari dhe takohet me artistin, dhe e bërë në një nivel kaq të lartë, është shumë domethënëse”, thotë Ornela Vorpsi, shkrimtarja shqiptare e vlerësuar me shumë çmime në arenën ndërkombëtare, por që për herë të parë prezantohet sot te publiku shqiptar me ekspozitën e saj vetjake “Providence”.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm Edi Rama, përfaqësues të institucioneve të kulturës, artit, medias, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Ceremonia u hap me fjalën e kuratorit Genti Gjikola, i cili u shpreh se ekspozita përmbledh shprehje në teknika të ndryshme, që nga vizatimi, piktura, instalacioni, fotografia dhe video.”

Në prezantimin e punëve të artistes, Gjikola vlerësoi se “vepra pamore e artistes Ornela Vorpsi ka si themel botën sensuale, emocionale dhe-sipas tij – në kontrast me shumicën e artit konceptual e bashkëkohor, shprehet përmes një strukture të qartë e ritmi të balancuar”.

Më tej, Vorpsi vlerësoi ftesën e COD-it duke e cilësuar si “një dhuratë të jashtëzakonshme” për të dhe realizimin e kësaj ekspozite në nivelet më të larta artistike.

“Jam jashtë mase e prekur dhe e kënaqur për të gjetur fjalët e duhura për këtë mrekulli që ju më ofroni sonte, që vendi im më ofron sonte”, tha ajo, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës së saj, të parën personale, në Shqipëri.

Ornela Vorpsi prezanton 38 punime në hollin protokollar të Kryeministrisë, sallën “Tako Artistin” dhe në sallën “Forum”. Pjesë e ekspozitës është edhe një instalacion i veçantë i ndërtuar me librat e saj, botuar në gjuhë të ndryshme. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 30 qershor.

Ornela Vorpsi lindi në Tiranë më 1968. Aktualisht jeton dhe punon në Paris. Vorpsi përfundoi studimet në Institutin e Lartë të Arteve (1987-1991), në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano (1992-1996) dhe më pas në Universitetin Paris VIII (1997). Ka marrë pjesë në shumë ekspozita në grup, të kuruara nga kuratorë të mirënjohur, si Harald Szeemann, Paul Ardenne dhe Walter Keller. Punët e saj gjenden në koleksione të rëndësishme, përfshirë dhe koleksionin FNAC (Fondacioni Kombëtar i Artit Bashkëkohor në Francë), si dhe në shumë koleksione private. Pasi u vendos në Paris në 1997, Vorpsi iu kushtua edhe letërsisë. Në vitin 2010, Aleksandar Hemon dhe Zadie Smith e cilësuan atë si një nga 35 shkrimtaret më të mira të Evropës në “Best European Fiction”. Librat e Vorpsit janë përkthyer në 18 gjuhë. /News Bomb/Shqip/