LAJMI I FUNDIT:

Organizimi i kaosit

Organizimi i kaosit

Nga: Branko Merxhani

Çdo njeri, çdo popull, që të rrojë dhe të tregojë veten, më parë nga të gjitha duhet të organizojë kaosin, që gjendet brenda në “Unin” e tij” – Niçe.


Shqipëria jonë e sotme është një botë kaotike e vogël. Në rrembat tona rrjedhin shumë hidhërime dhe helme, gjurmë të prishjes, të robërisë, të një tronditjeje historiko-shoqërore të pakapshme.

Trazimi dhe anarkia, që mbretërojnë sot në gjuhën tonë, nuk janë veçse vetëm një pjesë, një pamje, një fazë e prishjes sonë historiko-shoqërore. Gjithë ky trazim, gjithë kjo anarki mbretërojnë edhe në të gjitha shfaqjet e tjera të dinamizmit tonë qytetëronjës. Në idetë dhe tendencat tona shoqërore, ca më shumë në kuptimet tona mbi formën dhe esencën e instituteve tona shoqërore.

Është një anarki e cila ka thethitur të gjithë pothuaj jetën tonë. Ideale s’kemi. Racionalizmi ynë është pothuaj si i djemve. Dispozita për një gjurmim të ngulur shkencor dhe sistematik na mungon krejt.

Ku e ka rrënjën e saj kjo e keqe?

A ka vallë arsye historike?

Nga pikëpamja e kuptimit sociologjik cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Ja disa pyetje që vë neoshqiptarizma përpara djalërisë sonë intelektuale dhe idealiste. I vë dhe shton: Pa dhënë përgjigje në këto pyetje, s’mund të bëhet asnjë hap përpara!