LAJMI I FUNDIT:

Organizata “Çohu”: Vazhdon “kapja” Telekomit të Kosovës

Organizata “Çohu”: Vazhdon “kapja” Telekomit të Kosovës

Organizata për Demokraci, anti-korrupsion dhe dinjitet (Çohu) reagoi sot lidhur me zgjedhjen e Gent Begollit, kryeshef ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

Në reagim thuhet se vendimi i Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës për zgjedhjen e Gent Begollit, kryeshef ekzekutiv të kësaj ndërmarrje tregon qartë tendencën e partive politike për t’i dërguar njerëzit e tyre në detyra kyçe.


“Gent Begolli është anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ish-drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës nga kjo parti në mandatin e kaluar, me vota unanime është zgjedhur kryeshef ekzekutiv në këtë ndërmarrje e cila nga ndërhyrjet edhe politike është para falimentimit.  Begolli nuk është i vetmi që ka lidhje me partitë politike, apo me njerëz të politikës. Pjesa më e madhe e Bordit të Drejtorëve po ashtu ka lidhje me politikën. Është raportuar se në këtë bord janë përzgjedhur Besa Shatri Berisha, gruaja e deputetit të AAK-së Bekë Berisha”, thuhet në reagimin e organizatës “Çohu”.

“Skënder Hoti ishte bashkëluftëtar i Fatmir Limajt, por ka mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate. Anëtari tjetër i bordit të Telekomit Sead Ujkani është mik i deputetit të PDK-së Mërgim Lushtakut, djali i ish-kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut. Edhe bordet e kaluara të Telkomit të Kosovës kanë qenë me njerëz që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me partitë politike që kanë qenë në pushtet”, thuhet në reagim.

Sipas kësaj organizate, hulumtimet e realizuara nga ÇOHU!, tregojnë se ardhja e një partie politike në pushtet  shpërfaqë menjëherë ndikimin e asaj partie në punësimin e njerëzve në pozita të larta vendimmarrëse.

“Pas Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), një gjë të tillë po dëshmohet që po e bënë edhe AAK-ja, e cila është duke e udhëhequr me qeverinë. ÇOHU! konsideron se përzgjedhjet e tilla do të ndikojnë në degradimin e mëtutjeshëm Telekomin e Kosovës, kompani kjo që po shkon drejt falimentimit”, thuhet në reagimin e kësaj organizate. /Telegrafi/