LAJMI I FUNDIT:

ORCA kërkon shkarkimin e Kastratit e Dugollit, pasi Këshilli i Etikës i dënoi për plagjiaturë

ORCA kërkon shkarkimin e Kastratit e Dugollit, pasi Këshilli i Etikës i dënoi për plagjiaturë

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka kërkuar shkarkimin dhe heqjen e titujve akademikë shkence për profesorët Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli.

Kjo pasi Këshilli i Etikës në Universitetin e Prishtinës vendosi që të dy profesorët në fjalë, përmes plagjiaturës kanë fituar titujt.


“Për të mos shkuar tutje me masa më të rënda, ORCA kërkon me urgjencë që: Këshilli i Fakultetit Filozofik ta heq nga roli i senatorit të këtij fakulteti Bujar Dugollin. Nuk bën dhe nuk mundet, nja plagjiator të jetë përfaqësues i Fakultetit në Senat, organin që merret me çështje akademike, madje edhe me integritetin akademik”.

“Së dyti, Senati i UP-së si organi më i lartë akademik i institucionit të mos e aprovojë vendimin e Këshillit të Etikës për masat e lehta që i ka propozuar ndaj Dugollit e Kastratit, por t’i përjashtojë të dy nga universiteti siç ndodh në çdo vend të botës kur dikujt i vërtetohet plagjiatura. E pakta që mund të bëjnë tash për tash është heqja e titujve akademikë të fituar përmes plagjiaturës”, thuhet në komunikatën për media të ORCA-s.

Por, sipas kësaj organizate, pavarësisht konfirmimit të plagjiaturës, Këshilli i Etikës edhe pse i ka cilësuar si shkelje të rënda veprimet e profesorëve, ka marrë masa qesharake ndaj tyre.

“Në vendim thuhet se profesorit Bujar Dugolli i ndalohet mentorimi i temave të diplomës së masterit dhe doktoratës për dy vite, ndërsa Ardian Kastratit i ndalohet mentorimi i temave të të gjitha niveleve për 3 vite. Dhe si masë ndëshkuese e përbashkët, të dy profesorëve nuk punimi plagjiat nuk konsiderohet si punim i botuar në revista shkencore dhe si rrjedhojë nuk mund të përdoret për avancime akademike”.

“Kjo masë ndëshkuese është skandaloze dhe e papranueshme dhe e palogjikshme, e para sepse Këshilli i Etikës përmes kësaj mase e ka legjitimuar plagjiaturën, kjo masë i bën thirrje indirekte profesorëve për të plagjiat ngase pyetja shtrohet cilit prej profesorëve të universitetit i bëhet vonë nëse nuk mentoron tema të diplomës për dy a tre vite, kur ai/ajo tashmë është rahatuar në pozitën e profesorit/es edhe përmes shkeljeve që ka kryer”.

Dhe e dyta, thuhet se vendimi është i palogjikshëm sepse e kundërshton vetveten.

“Të dy profesorët janë avancuar në tituj më të lartë akademik përmes këtij punimi, por Këshilli i Etikës lëre që nuk e merr në konsideratë kërkesën paraprake të ORCA-s për heqjen e titujve të fituar nga profesorët, por u thotë atyre tash e tutje këtë punim nuk mund ta përdorni për avancime akademike. Ky është kulmi i absurditetit”.

“ORCA nuk do të ndalet. Ne do të vazhdojmë t’i përshkallëzojmë masat që do të marrim. Nëse konsiderojmë se rrugët institucionale janë shtjerrë, kjo që po shihni sot është thjesht dhe vetëm, një hyrje në vazhdën e aksioneve e protestave”. /Telegrafi/

1-391, 16.6.2022, Vendim i Këshillit të Etikës për Prof. Ass. Dr. Ardian Kastratin

1-388, 16.6.2022, Vendim i Këshillit të Etikës për Prof.Dr. Bujar Dugollin