LAJMI I FUNDIT:

Optimizmi nuk është shumë “evropian”, por le t’i çmojmë këto arsye për më shumë shpresë në vitin 2024

Optimizmi nuk është shumë “evropian”, por le t’i çmojmë këto arsye për më shumë shpresë në vitin 2024

Nga: María Ramírez / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ish-kryeministri i Portugalisë dhe ish-kreu i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso, ka thënë se evropianët ishin të dashuruar në “magjepsjen intelektuale të pesimizmit”. Kur për herë të parë e dëgjova ta thoshte këtë në vitin 2005, sapo e kisha filluar si punën si korrespondente në Bruksel – pas disa viteve që jetoja në ShBA – dhe fjalët e tij ishin kryesisht të vërteta. Kishte një kontrast të thellë mes besimit thellësisht të rrënjosur kulturor amerikan se gjërat mund të përmirësohen dhe pikëpamjes rutinore të zymtë që mbizotëronte në shumë vende evropiane – madje, edhe në ato më të pasurat dhe më të privilegjuarat. Franca, Belgjika, Spanja dhe Italia vazhdimisht renditen lart në sondazhet globale të pesimizmit.


Amerikanët janë bërë më pesimistë që atëherë, veçanërisht në ndarjet partiake. Por, në Evropë, mendimi negativ, disfatist, shpeshherë mendohet të jetë më i besueshëm në aspektin intelektual – pavarësisht ngjarjeve aktuale.

Merreni vitin 2019 i cili, nëse sot analizohet, mund të shihet si vit relativisht pozitiv për evropianët: post-kriza financiare, para-pandemia, para-lufta në Ukrainë. Në atë vit, një sondazh global i YouGov-it tregoi se evropianët ishin më të zymtët në botën e zhvilluar.

Sigurisht që kishte arsye për të qenë pesimistë në vitin 2023. Deri sot, kjo dekadë ka qenë plot tragjedi, pasiguri, varfëri të vazhdueshme dhe me autoritarizmin në rritje – madje edhe në demokracitë e fuqishme. Ukraina vazhdon të sulmohet nga vdekja dhe nga shkatërrimi, ndërsa mbështetja ushtarake dhe ekonomike po pakësohet teksa agresioni i Vladimir Putinit duket i paepur.

Mungesa e levave efektive evropiane në Lindjen e Mesme, ka qenë dhimbshëm e dukshme pasi lufta në Gazë ka shkaktuar nivel të paprecedentë dhe të tmerrshëm të viktimave civile. Antisemitizmi dhe islamofobia janë rishfaqur në Evropë, duke na kujtuar të kaluarën e errët dhe jo shumë të largët.

Mijëra njerëz kanë vdekur në përpjekjet për të arritur në brigjet evropiane. Performanca arsimore në gjithë kontinentin ka rënë, pasi varfëria dhe mësimi në distancë ndikuan te nxënësit. Valët e të nxehtit dhe moti ekstrem po dëmtojnë komunitetet dhe madje edhe dietën mesdhetare – meqë Evropa po vuan nga kriza klimatike.

E, megjithatë, mund të gjej ende arsye për të pasur shpresë për Evropën në vitin 2024.

Viti i ri do të sjell fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë fqinje. Kjo të paktën është një fije shprese për stabilitet dhe ndoshta edhe paqe. Negociatat formale do të kërkojnë kohë, por kjo rrugë, sapo të fillojë, është përgjithësisht e suksesshme sa i përket rritjes dhe integrimit. Në 25-vjetorin e përfundimit të luftës në Kosovë, ekziston gjithashtu një mundësi për të përshpejtuar perspektivën e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor, ku negociatat kanë ngecur për dekada – mes tensioneve në rritje.

Vendimmarrja e brendshme e BE-së do të ketë nevojë për reforma për të shmangur ngërçin e vazhdueshëm, derisa grupimi po rritet në madhësi, por perspektiva e komunitetit më të madh e më paqësor evropian është një lajm i mirë – pavarësisht prej shumë netëve të gjata të negociatave që mund të presim nga më shumë vende rreth tryezës. Hungaria është shkak i shqetësimit të vazhdueshëm, pasi pushteti i Viktor Orbanit vetëm sa po bëhet më i fortë dhe po mbyt institucionet demokratike dhe po tkurr shtypin e lirë. Por, e kemi një forcë të re për më mirë në Poloninë e Donald Tuskut, një vend që u ka dhënë një mësim cinikëve evropianë – se si gjeneratat e reja kanë forcën për të luftuar, kur liritë civile janë në rrezik.

Viti i ri do të sjell më shumë udhëtime me tren nëpër Evropë, një simbol ky i rritjes së qëndrueshme, i mundësive dhe shkëmbimit kulturor. Do të ketë më shumë konkurrencë në rrugët përgjatë Evropës dhe shërbime të reja që lidhin Parisin dhe Berlinin, Munihun dhe Varshavën, dhe me shpresë Milanin dhe Lubjanën.

Mbretëria e Bashkuar mbetet një përjashtim, pasi konkurrenca për Eurostar duket e pamundur dhe shërbimi është reduktuar për shkak të barrës së formaliteteve kufitare të Brexit-it. Por, ndryshimet politike mund të jenë në horizont – edhe për Mbretërinë e Bashkuar. Duket shumë e mundshme që laburistët të vijnë në pushtet dhe ne shpresojmë se do të jenë gati për lidhje konstruktive me miqtë, me aleatët dhe me partnerët tregtarë.

Gjithë sytë do të drejtohen te performanca e ekstremit të djathtë në zgjedhjet evropiane që do të zhvillohen në qershor 2024. Por, nuk duhet të harrojmë se kjo në vetvete është një nga sprovat më të mëdha të demokracisë në botë. Analizojeni pjesëmarrjen dhe angazhimin. Sipas një sondazhi të BE-së, vihet re se ka më shumë interes sesa në zgjedhjet e fundit evropiane më 2019.

Lojërat Olimpike në Paris do të testojnë infrastrukturën e qytetit, por ato do të jenë gjithashtu një mundësi për të shfaqur një metropol më të ecshëm. Dhe, sporti ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit në një festë shumë të nevojshme të këmbënguljes dhe përsosmërisë njerëzore.

Mund të mendoj për shumë burime të tjera gëzimi. Një park i ri në Antuerp me 30 mijë bimë. Projektet e restaurimit të pyjeve në Gjermani, Spanjë, Suedi, Portugali dhe Kroaci. Tramvaje të reja në Talin, Firence dhe Barcelonë. Një muze i ri në jug të Francës, kushtuar ekskluzivisht grave artiste. 100-vjetori i lindjes së skulptorit spanjoll Eduardo Chillida në Çilida-Leku, një muze mahnitës dhe ish-studioja në Hernani në rajonin bask. Njëqindvjetori i vdekjes së Franz Kafkas në Pragë që do të jetë mundësi për të manifestuar shkrimin e tij kaq të rëndësishëm për botën e sotme. Një karikues i vetëm që do të kursejë para dhe do të reduktojë mbeturinat.

Një karikues i vetëm, një muze apo një park mund të duken si arritje të vogla në tablonë e madhe të luftës, pabarazisë dhe populizmit, por ato tregojnë se si progresi rutinor po vazhdon të ndodhë, pavarësisht se cilën krizë të madhe ia sjellim vetes me veprim ose me mosveprim.

Sigurisht, vit i ri është konventë, por e tillë që ne e identifikojmë kolektivisht si mundësi për një fillim të ri më të mirë. Ndoshta në vitin 2024, ata që ndajnë këtë kontinent sfidave mund t’ju qasen me një këndvështrim më pak të zymtë. Tekefundit, shpresa gjithashtu mund të jetë joshëse. /Telegrafi/