Opozita është duke zhvilluar aktivitet të ngjeshur në Parlament. Por, mos mendoni se janë duke ngritur për diskutim çështje të rëndësishme që i preokupojnë qytetarët. Jo. Ata janë duke bërë luftë se kush do të ulet në ulëset e rendeve të para të parlamentit!

AAK-ja e Ramush Haradinajt dhe AKR-ja e Begjet Pacollit tash sa javë nuk po mund të merren vesh se cilës i takojnë ato farë ulësesh. Deri tash, në to ishin të ulur deputetët e AKR-së, por pas ikjes nga kjo parti të disave nga ta, tashmë AAK-ja ka më shumë deputetë. Kjo ka bërë që aleancistët e Haradinajt të kërkojnë “atë që iu takon”, ndërkohë që aleancistët e Pacollit thonë se vota ka vendosur që ata t’i zënë ato vende edhe aty do të qëndrojnë.

Paramendoni, në kohën kur ka nevojë për një opozitë të fortë në Kuvend, në kohën kur qytetarët që i kanë zgjedhur këta njerëz për t’i përfaqësuar presin që t’i ngrenë për debat qindra probleme me të cilat ballafaqohen, ata zihen se kush do të ulet më përpara tjetrit. Në kohën kur, më në fund, do të duhej që opozita të bëhet një dhe të jetë zë i fortë në të mirë të qytetarëve, ata zihen për karrige.

Në fakt, opozita kosovare asnjëherë nuk ia ka dalë të jetë e bashkuar. AKR nga lideri i saj është konsideruar partner i qeverisë dhe AAK ia ka zënë për të madhe afërsinë me PDK-në.

Ndërkohë, qeveria pa problem e ka “qeverisur” edhe një pjesë të opozitës. Kur kompania e Pacollit fitoi tenderin milionësh për renovimin e ish-Pallatit të Shtypit, u tha se me këtë PDK-ja bleu heshtjen e AKR-së. Në fakt, deputetë të AKR-së nuk është se s’kanë ngritur iniciativa në parlament dhe s’kanë kritikuar edhe aspekte të punës së qeverisë, por qëndrimi i Pacollit ka qenë ndryshe. Partner i qeverisë po se po, por edhe më shumë se kaq.

Sherri për ulëset e para në Kuvend plasi pas lëvizjeve të disa deputetëve të AKR-së dhe LDK-së drejt AAK-së. Kërkesa e AAK-së për “lirim vendesh” është refuzuar disa herë nga AKR-ja. Madje, shefat e grupeve parlamentare të të dy partive janë përplasur me fjalë edhe publikisht rreth kësaj çështjeje.
“AKR-ja e ka marrë tepër ngat zemrës lëvizjen prej vendeve që i ka pasur deri tash dhe nuk po pranon që i ka humbur deputetë për një gjysmë mandati. Ata duhet ta dinë se nuk është faji ynë pse i ka humbur kaq shumë deputetë për një gjysmë mandati dhe do ta shikojmë mundësinë edhe për disa ditë nëse do të ketë mundësi të marrëveshjes”, ka thënë Ardian Gjini i AAK-së.

Ndërkaq, shefi i deputetëve të AKR-së, Ibrahim Makolli, ka thënë tha se ky grup parlamentar nuk ka dëshirë të merret me çështjen e uzurpimit të ulëseve të askujt në Kuvend, por insiston që ato vende të ruhen ashtu sikur që i ka përcaktuar vota e qytetarëve në fillim të mandatit. “Deri në fund të mandatit mund të ketë akoma lëvizje të reja dhe ne do të mundë të mbetemi vetëm me rishikimin e ulëseve”.

E vota e qytetarëve ka përcaktuar që përfaqësuesit e tyre, para se të zihen kush ku të ulet, të kujdesen që në Kuvend ta përçojnë zërin e tyre. Çështja e ulëseve nuk do të duhej të ishte problem, por kur s’ke kaçik të merresh me gjëra më të rëndësishme, mirë është edhe kjo. Opozitë e jo mahi! E PDK-ja me LDK-në? Kënaqen tue u qeshë! /Gazeta “Profil”/