LAJMI I FUNDIT:

Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Opozitarët serbë kërkojnë sqarim për rolin e Serbisë në Banjskë

Gjatë seancës së parë të sesionit vjeshtor, një pjesë e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Serbisë më 23 tetor ngritën çështjen e rolit të udhëheqjes serbe në sulmin në Banjskë në veri të Kosovës.

Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.


Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por kjo e fundit ka mohuar çdo përfshirje.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjska e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

“Prandaj le të pyesim tani [drejtorin e Agjencisë për Siguri dhe Informacion – BIA, Aleksandar] Vulinin, [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiqin, dhe [ministrin serb të Punëve të Brendshme, Bratisllav] Gashiqin, si është e mundur që nuk e dinit se çfarë po bënte Radoiçiqi në Banjskë me persona të armatosur me mitraloz, pushkë që asnjë qyteti të Serbisë nuk i lejohet t’i mbajë privatisht”, tha Nebojsha Zellenoviq, bashkëkryetar i partisë opozitare Së bashku, teksa iu drejtua deputetëve në seancë plenare.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, Millenko Jovanov, u kundërpërgjigj duke thënë se Zellenoviq për gjithçka fajëson serbët, pa e shikuar përgjegjësinë e palës tjetër.

“Ai thotë se është e tmerrshme që Aleksandar Vuçiq nuk dinte asgjë, por për të nuk është e tmerrshme që vdiqën tre serbë. Ai këtë nuk e tha kurrë”, tha Jovanov.

Një pjesë e opozitës në Serbi ka kërkuar më 3 tetor një seancë urgjente të Kuvendit, në të cilën, përmes formimit të Komisionit Hetimor, do të përcaktohej përgjegjësia e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe roli i Millan Radoiçiq, për ngjarjet në Banjksë. Por, një propozim i tillë nuk është pranuar.

Ky zhvillim vjen në ditën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sulmi në Banjskë u krye nga “Klani i Novi Sadit, i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq”.

“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.

Vuçeviq i ka hedhur poshtë si “gënjeshtra plotësisht të neveritshme dhe flagrante” deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kosova ka kërkuar që të kryhet një hetim ndërkombëtar për Serbinë, në mënyrë që të përcaktohet roli i Beogradit në sulmin që Prishtina e cilëson si terrorist.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.

Në trend Lajme

Më shumë
Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Drejtësi
Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Pas skandalit në TikTok, Policia kërkon ndihmë për kapjen e shtetasit të Shqipërisë, i cili ndodhet në një burg në Francë

Kronika e Zezë
Mexhiti, Siljanovskës: UÇK-ja është e shenjtë, shqiptarët janë bashkë kur vjen puna te çështja kombëtare

Mexhiti, Siljanovskës: UÇK-ja është e shenjtë, shqiptarët janë bashkë kur vjen puna te çështja kombëtare

Politikë
Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Stano për strukturat paralele: BE në Kosovë mbështet një strukturë të vetme institucionale sipas kornizës së saj ligjore

Lajme
Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Flet e dhunuara gjatë lųftës në Kosovë: Nuk kam familje dhe askush nga të afërmit nuk di për rastin tim

Lajme
Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në

Arrestohet i riu nga Klina, dyshohet se abuzoi seksualisht me një fëmijë - videon e publikoi në "TikTok"

Kronika e Zezë
Kalo në kategori