LAJMI I FUNDIT:

Opozita thotë se Ligji për pagat rrezikon të mos zbatohet

Opozita thotë se Ligji për pagat rrezikon të mos zbatohet

Ligji për pagat i miratuar muajin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, po kritikohet nga partitë opozitare. Ndërsa, konsiderohet që rrethanat e reja që mund të ndodhin në muajt në vazhdim dhe zgjedhjet e mundshme do të rrezikonin implementimin e këtij ligji, pasi siç deklaron opozita, do të ishte barrë e madhe për cilëndo qeveri të paguaj këtë kosto, duke vlerësuar se është në shpërputhje me zhvillimin ekonomik të vendit.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi deklaron se ende nuk ekziston një pasqyrë e qartë se sa ka me qenë kosto financiare e Ligjit për Pagat.


Thotë se krejt kjo po ndodhë ngase deri në momentin e fundit janë bërë pazare për koeficientet.

Bislimi vlerëson se për shkak të zhvillimeve politike, implementimi i këtij ligji mund të mos ndodhë.

“Ligji është ‘patate e nxehtë’ për secilën qeveri, dhe nëse kjo qeveri vazhdon është ‘patate e nxehtë’. Mirëpo, Ligji nëse ka vendos datën e implementimit shtatorin e ka një hile brenda. Në qoftë se ndërkohë caktohet data e zgjedhjeve, atëherë struktura e tanishme qeveritare mund të del me një kushtëzim të thotë se ne jemi garant që këto premtime marramendëse kanë me u zbatuar… Në qoftë se ne e kemi ditur që në start që ligji ka me u implementuar prej shtatorit pse është dashur me gjithë atë panik dhe gjithë atë gjatësi kohore me u votuar qysh tash”, thotë nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi për KosovaPress.

Edhe partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet skeptike rreth këtij Ligji.

Deputeti i kësaj partie, Lutfi Zharku thotë se duhet të konsiderohet që nëse nuk ka mjete për shumën që aktualisht vlerësohet kosto e buxhetit, atëherë të zbritet vlera e tij.

“Në ligj është paraparë që koeficienti aktual, që është 239 euro vlera e koeficientit, ai vlerësohet çdo vit me ligjin e buxhetit. Do të thotë nëse nuk ka mjete për shumën që aktualisht vlerësohet kosto e pagave në buxhet, atëherë mund të zbritet vlera e koeficientit… E para nuk kisha dashur që zbatimi i ligjit të jetë koincidencë me zgjedhjet e reja dhe e dyta natyrisht është një barrë e një qeverie të ardhmen e cila do të duhej të paguaj një kosto të pagave e cila nuk përputhet me zhvillimin ekonomik të vendit”, deklaroi Zharku.

Ndërsa, për shefin i grupit parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu nuk ka asnjë rrezik që Ligji për pagat mos zbatohet në praktikë.

Sipas tij, ligji duhet të hyj në fuqi siç është paraparë pas nëntë muajve dhe se Qeveria duhet të ketë të qartë çfarë të bëjë për zbatimin e tij.

“Nuk mendoj që ekziston ky rrezik, e para e gjërave duhet të keni parasysh se ligji për pagat është votuar para buxhetit dhe në buxhet është e qartë se si do të trajtohet secila pikë. Nuk kemi të bëjmë ne një votim i cili nuk është i mirë menduar. Ligji për pagat futet në fuqi pas gjashtë muajve dhe po besoj shumë se qeveria e ka të qartë çfarë duhet të bëjë për me implementuar këtë ligj”, thotë deputeti Sejdiu.

Ministri i Financave, Bedri Hamaza thotë se pavarësisht të gjithave, Ligji do të zbatohet dhe shprehet i bindur se buxheti i shtetit e ka fondin më se të mjaftueshëm, kur dihet se ai hyn në fuqi në pjesën e fundit të vitit 2019.

Shefi i buxhetit të shtetit, thotë se vetëm 24 milionë euro është dallimi me masën e pagave të shpenzuara nga viti 2018, tek aktuali 2019 që do të jetë me rritje të pagave.

Pranon se problematike mund të jetë ndonjë dallim në kornizën afatmesme të shpenzimeve.

“Masa e pagave e shpenzuar për vitin 2018 ka qenë 592 milionë, për vitin 2019 në projekt buxhetin aktual është 616 milion, plus 20 milionë janë të ndara tek Ministria e Financave në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve me qëllim që të mbulohen iniciativat e reja ligjore që një prej tyre është dhe ligji për pagat. Është fond më se i mjaftueshëm pasi ligji është i planifikuar të hynë në fuqi në pjesën e fundit të vitit 2019… Kosto buxhetore është e mbuluar e këtij projekt ligji. Ndërsa për vitet vijuese ne kemi planifikime, por do të shohim saktë se cilat do të jena nevojat për vitin 2020. Mund të ketë ndonjë dallim me kornizën afat mesme të shpenzimeve, mirëpo ne kur të rifreskojmë kornizën afat mesme do të reflektojmë gjitha ndryshimet që do të ndodhin”, thotë ministri Bedri Hamza.

Kosova 11 vjet pasi shpalli pavarësinë  për herë të parë ka Ligjin për Pagat, i cili po kritikohet nga shumë grupe të interesit./kp/Telegrafi/