LAJMI I FUNDIT:

Opozita pa ndryshim qëndrimi: Do ta parandalojmë demarkacionin, me çdo mjet të mundshëm!

Opozita pa ndryshim qëndrimi: Do ta parandalojmë demarkacionin, me çdo mjet të mundshëm!

Arritja e një konsensusi mes pozitës e opozitës për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duket një “ëndërr” e parealizueshme.

Deklarimet e të dyja palëve, para se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, t’u bëjë ftesë krerëve të tri partive opozitare për një takim, nuk po kontribuojnë në afrimin e qëndrimeve mes tyre, por ndarjes edhe më të madhe.


E si rezultat i mos arritjes së një konsensusi, ekzekutivi pritet ta dërgojë në mënyrë arbitrare në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës e Malit të Zi.

Opozita është shprehur e vendosur se nuk do ta lejojë të ndodhë një gjë e tillë, dhe se këtë do ta parandalojë me të gjitha mjetet e mundshme.

Shkodran Hoti nga zyra për media e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë për Telegrafin se janë të bindur që demarkacioni nuk duhet të kalojë, dhe se këtë do ta ndalojnë me çdo mjet demokratik nëse qeveria shfaq vendosmëri që të vazhdojë sipas tij me arrogancën e saj.

“Është krejt e papranueshme që kur qeveria ka marrë argumentet e mjaftueshme që demarkacioni është i gabuar, të tentojë ta shtyjë përpara këtë çështje. Aq më pak kur tani qeveria ka përpara një plan 5 pikësh të propozuar nga ne”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se në rast se nuk merret parasysh zgjidhja të cilën e kanë propozuar, atëherë zgjidhja mbetet tek përdorimi i çdo mjeti që e parandalon këtë marrëveshje.

“Çdo zgjidhje duhet ta ketë synim mbrojtjen e territorit. Ne jemi të vendosur që të mos lëmë asnjë centimetër katror t’i falet një vendi tjetër”, u shpreh Hoti, duke shtuar se arsyeja pse nuk po mund të arrijnë konsensus është se Qeveria e Kosovës është formuar mbi një bazë të dobët.

“Është vazhdimisht e shantazhuar dhe e kushtëzuar. E keni parë se si nga fillimi i mandatit krejt çfarë ka bërë është servimi i dy projekteve antishtetërore – demarkacionit me Malin e Zi dhe “Zajednica”. Asnjë premtim elektoral nuk e ka mbushur. Asnjë projekt në të mirën e qytetarin nuk është ndërmarrë nga kjo qeveri. E tërë veprimtaria e saj po i shkon për shtati politikave të Serbisë. Edhe kushtetutën e Kosovës e kanë shkelur 23 herë për Serbinë. Me një qeveri të tillë është i vështirë konsensusi”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se presin nga qeveria që të reflektojë karshi kësaj çështje.

“Tashmë tema e demarkacionit është e vdekur për neve, për Kuvendin dhe për Kosovën. Ne po presim që qeveria të reflektojë konform mundësisë që i është dhënë për ta rikthyer ketë temë në pikën zero e për të nisur diçka të re e cila nuk do të cenojë territorin e vendit”, ka thënë për Telegrafin, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj.

Ai ka theksuar se Kuvendi e ka thënë fjalën e vet, kur nga qeveria u tërheq projektligji për marrëveshjen e demarkacionit, ajo është ngjashëm sikurse deputetët t’ia kishin dhënë votën kundër.

“Prandaj, nuk është mirë për askënd që t’i bimë dy herë së njëjtës rrugë për temën e njëjtë”, vlerëson Lekaj.

Lekaj ka shtuar se beson që nuk do të ketë nevojë të ndërmerren kurrfarë masash për ta parandaluar ratifikimin e Demarkacionit, pasi që sipas tij nuk do të ketë nevojë për asnjë veprim që bie ndesh me parlamentarizmin.

“Qeveria e dinë që në ketë temë i ka kundër shumicën e deputetëve, e prandaj nuk bënë mirë që të insistojë edhe me tutje në ketë version”.

“Si grup parlamentar, kemi bërë çmos që të krijojmë rrethanat për një proces të mirëfilltë të demarkacionit. Që një vit bashkë me deputetë edhe nga mazhoranca e me shumë ekspertë kemi ofruar argumente për Kosovën me kufijtë e vërtetë, siç i ka pas ndër gjenerata. Ne e kundërshtojmë këtë version jo vetëm për të tashmen e Kosovës, por sepse ky nuk sjellë paqe në periudhat e ardhshme, për gjenerata e gjenerata, prandaj, do të angazhohemi bashkërisht që të mos iu lëmë të tilla tema që janë rrezik për diçka me keq se sa një mosmarrëveshje”, u shpreh Lekaj.

Deputeti i AAK-së, më tej ka theksuar se kanë qenë të hapur për të diskutuar në gjetjen e një zgjidhje e arritjen e një konsensusi.

“Ne nuk e dimë arsyen pse qeveria nuk po arrin të bëjë konsensus me veten në radhë të parë, e të bindet që ka hy gabim, në një temë që ka pasur zgjidhje prej momentit kur është konstatuar që diçka po shkon keq. Prandaj i bëjmë thirrje që të reflektojë, e të mos e trajtojë një temë që është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe stabilitetin e saj, si një temë elektorale, sepse nuk është e tillë”, tha Lekaj.

Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami ka thënë se qeveria nuk i ka votat dhe prandaj është kjo zvarritje e kohës, kjo u dëshmua edhe me 1 shtator kur Isa Mustafa e tërhoqi demarkacionin nga rendi i ditës.

“Demarkacioni në versionin aktual nuk duhet të sillet në kuvend pasi që është dëshmuar se me këtë version Kosova do të humb mbi 8200 hektar. Çështja e konsensusit është e vonuar por edhe nëse ndodhë të ketë një konsensus ai duhet të jetë që kjo marrëveshje duhet të kthehet në pikën zero dhe të rishikohet nga fillimi, të përmirësohen gabimet e pastaj kur çdo gjë të jetë në rregull atëherë mund të sillet në kuvend për tu votuar”, ka thënë Bajrami për Telegrafin.

Ajo ka theksuar se kjo qeveri duhet të kuptoj se ka dështuar dhe se për dështim të tyre nuk guxojnë të rrezikojnë të ardhmen e shtetit dhe territorin e saj, “sepse këtë nuk do të lejojnë as qytetarët e as ne”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Kalo në kategori