LAJMI I FUNDIT:

Opozita kërkon mbajtjen e seancës, Kadri Veselin e quajnë vegël të Hashim Thaçit

Opozita kërkon mbajtjen e seancës, Kadri Veselin e quajnë vegël të Hashim Thaçit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti në një konferencë për media ka thënë se sjellja e Kadri Veselit tregon qartë se kemi të bëjmë me kapje të institucioneve dhe Kuvendit.

“Jemi në pritje më shumë se 24 orë prej që kemi kërkuar që të mbahet seanca e jashtëzakonshme. kjo formë se si po sillet kryetari i Kuvendit dhe ky koalicion qeverisës është kapje e institucioneve dhe kapje e Kuvendit duke mos lejuar fjalën e opozitës”, ka thënë Hoti.


Glauk Konjufca-VV

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka treguar se qëllimi i Kadri Veselit është që opozita të mos e mbajë seancën e thirrur në të cilën pritet të votohet rezoluta për veprimtarinë e Thaçit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo që po ndodh është se këtu kemi të bëjmë me shtyrje të qëllimshme të seancës, që Thaçi të takohet me Vuçiqin pa mbajtjen e seancës nga opozita. Ky është qëllimi i vetëm i Kadri Veselit i cili si vegël e Hashim Thaçit, e monopolizon Kuvendin e Kosovës, i pamundëson opozitës mbajtjen e një seancë”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka theksuar se si opozitë i bëjnë thirrje kryeparlamentarit që të thërras mbajtjen e seancës të kërkuar nga opozita me 51 nënshkrime.

Shqipe Pantina- PSD

Edhe Shqipe Pantina nga PSD-ja, ka thënë se seanca e thirrur nga opozita është në përputhje me Kushtetuën.

“Seanca e thirrur nga opozita është obligative me Kushtetutë. ne kërkojmë që temat e tilla të rëndësishme që janë për vendin të mos diskutohen në tryeza, por të diskutohen aty ku është vendi pra në Kuvend”, tha Pantina.

Mimoza Kusari-Lila-Alternativa

Kurse, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa ka thënë se presidenti Thaçi vazhdon të mbetet personi i vetëm që i sjellë të këqija vendit.

“Opozita i bënë thirrje partive në pushtet që ti thërrasin përgjegjësisë institucionale dhe ligjore, dhe të jenë pjesë e seancës së thirrur nga opozita dhe të votojnë rezolutën për mos ndryshim të kufijve. Kosova ka nevojë për kthim në normalitet, dhe i vetmi që i sjellë kriza vendit është presidenti Hashim Thaçi”, u shpreh Kusari-Lila. /Telegrafi/