Partitë opozitare kanë shfaqur qëndrime të ndryshme rreth dërgimit në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin e ish kryesueses së KQZ-së, Valdete Daka nga presidentja Vjosa Osmani.

Derisa në LDK thonë se do të presin veprimet ligjore të Dakës, në AAK u shprehën në mbështetje të PDK-së për inicimin në kushtetuese të shkarkimit të ish të parës së KQZ-së.

Ndërkohë, në Lëvizjen Vetëvendosje theksojnë se veprimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.

Ishte shefi i grupit parlamentar të AK-së, Besnik Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit që tha së përkrahin një nismë të tillë, por LDK ka hezitime në këtë temë.

“Në këtë rast është iniciuar nga PDK mbledhja e nënshkrimeve, nuk jam informuar deri ku ka arritur, sikurse e di që ka një hezitim të LDK-së në këtë temë. Ne si AAK do t’i japim nënshkrimet për trajtimin e kësaj teme në Gjykatën Kushtetuese”, tha ai.

Këtë e konfirmoi edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i cili sqaroi pse kanë pikëpamje të ndryshme me dy partitë tjera opozitare.

“Kemi mendimi të ndryshme sa i përket kësaj çështje, ne e përkrahim mendimin e zonjës Daka se ajo do t’i ndjek vetëm rrugët ligjore. Pastaj presim nga institucionet e pavarura kushtetuese që të bëjnë punën e tyre dhe të shohim se a është shkel kategoria e të drejtave të njeriut, pavarësia kushtetuese e të tjerë. Avokati i Popullit duhet të merret me këtë çështje dhe t’i drejtohet institucioneve kushtetuese. Nëse asnjëra prej këtyre nuk funksionon atëherë do të shohim në aspektin politik”, tha ai.

Ndërsa, U.D e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha se vendimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.

“Çdo gjë është në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore. Secili është i lirë të dërgojë organeve tjera për interpretim të vendimeve të instancave të ndryshme”, tha ajo./kp/Telegrafi/