LAJMI I FUNDIT:

OPEC zbret kërkesën për naftë: Ekonomia e botës ndodhet në një periudhë pasigurie

OPEC zbret kërkesën për naftë: Ekonomia e botës ndodhet në një periudhë pasigurie

Organizata e Vendeve Prodhuese të Naftës (OPEC) ka ulur parashikimet për rritjen e kërkesës botërore për naftë për vitin 2022 për të pestën herë që nga muaji prill i këtij viti, gjithashtu ka zbritur shifrat e vitit të ardhshëm, duke përmendur sfidat ekonomike në rritje, inflacionin e lartë dhe rritjen e normave të interesit.

Kërkesa për naftë në vitin 2022 do të rritet me 2.55 milionë milion fuçi në ditë ose 2.6 për qind, u shpreh OPEC në një raport mujor, që nënkupton 100 mijë fuçi në ditë më pak në krahasim me parashikimin e mëparshëm.

Në raportin e OPEC-ut thuhet se ekonomia botërore ka hyrë në një periudhë pasigurie të konsiderueshme dhe sfidash në rritje në tremujorin e katërt të vitit 2022. Më tej shkruhet se rreziqet negative përfshijnë inflacionin e lartë, shtrëngimin monetar nga bankat kryesore qendrore, nivelet e larta të borxhit sovran në shumë rajone, shtrëngimin e tregjeve të punës si dhe kufizimet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit.

Ky është raporti i fundit përpara se OPEC dhe aleatët e tij, të njohur si OPEC+, të takohen në 4 dhjetor për të vendosur rreth politikave që do të ndjekin. Grupi i cili kohët e fundit reduktoi objektivat e prodhimit, do të tregohet i kujdesshëm, sipas deklaratës së ministrit të energjisë së Arabisë Saudite.

Vitin e ardhshëm, OPEC pret që kërkesa për naftë të rritet ne 2.24 milionë fuçi në ditë, gjithashtu 100 mijë fuçi në ditë më pak se sa ishte parashikuar më parë.

Pavarësisht përfundimit për sfida në rritje, OPEC i la të qëndrueshme parashikimet për rritjen ekonomike të botës për vitin 2022 dhe 2023, duke shtuar se ndërsa rreziqet ishin anuar drejt rënies, kishte gjithashtu një potencial pozitiv. /Telegrafi/