Oligarkia në Kosovë

Këto ditë lexuam se është liruar oligarku rus, Mikhail Khodorkovsky. Si pro evropianë që jemi, u gëzuam. Sepse, sipas mendimit tonë dhe sipas sugjerimit nga mediat elektronike dhe të shkruara, drejtësia e vonuar në një farë forme u vu në vend.
Por, çka do të thotë oligarki për kosovarët? Kjo është një pyetje shumë tunduese, e ndoshta deri sot një temë pothuajse tabu në Kosovë. Kjo do të thotë se fati i një populli është në duart e disa individëve.
Si njohës i ekonomisë në Kosovë, dita-ditës vërej këto elemente oligarkie që na rrethojnë. Zakonisht teoritë oligarke janë të ndërlidhura me vendet socialiste/komuniste dhe nuk kanë aspak të bëjnë me vendet e zhvilluara kapitaliste. Por, në realitet në Kosovë kjo teori nuk qëndron. Aktualisht, një grup politikanësh dhe biznesmenësh të ndërlidhur me politikën bëjnë politikën ditore e cila po vendos fatin ekonomik të Kosovës, që do të thotë se janë oligarkë.
Bizneset e vogla familjare, të cilat janë një traditë e vjetër në Kosove, kanë filluar të shuhen për shkak të problemeve me ndërmarrjet e vogla ose të mesme. Zakonisht, në vendet e vogla në zhvillim, bizneset familjare janë ato që kanë ndihmuar në mëkëmbjen e ekonomisë.
Por, çka presim nga oligarkët? Nuk kemi çka presim, përderisa ata kanë instaluar strukturat e tyre edhe në Universitetin Publik të Prishtinës. Ne, taksapaguesit, jemi në terr informativ, jemi të manipuluar, jemi të vendosur në një hije. Çka është më e keqja: nuk kërkojmë asnjëherë të drejtën tonë.
Kur unë vendosi të zhvilloj një aktivitet biznesi me përmasa pak më të mëdha se sa një kioskë ose kafene, automatikisht “taksidarët” e ATK-së i ke të dera. Kush i dërgon ata, do të pyetni ju? Sigurisht që i dërgojnë oligarkët me të vetmen arsye qe të shantazhojnë, sepse rrezikon biznesin e një oligarku. Dhe, detyrohemi të kthehemi aty ku ishim: duke privuar ekonominë tonë që të hap të paktën edhe disa vende të reja pune.
Verën e këtij viti, një biznesmen italian më pat pyetur: “Si është e mundur që keni një nivel kaq të lartë korrupsioni dhe ende po mbijetoni”? Unë ia ktheva: “Ka kohë që tek ne ka korrupsion të lartë. Jemi mësuar me të dhe siç po shihet, nuk bëjmë dot pa të, pa çka që e shkatërroi ekonominë tonë të brishtë”.
Sipas mendimit tim, oligarkët e instaluar në Qeverinë tonë nuk kanë interes që Kosova të këtë një ekonomi stabile, sepse atëherë populli do të ishte më i forte ekonomikisht dhe nuk do të duronte me oligarkët të silleshin vërdallë në zyrat e Qeverisë, por do t’i dërgonte prapa grilave - saktësisht aty ku e kanë edhe vendin.





















































