LAJMI I FUNDIT:

OKB paralajmëron për sulme në Aleppo përpara inaugurimit të Trump

OKB paralajmëron për sulme në Aleppo përpara inaugurimit të Trump

I dërguari i OKB-së për Sirinë ka paralajmëruar se forcat ushtarake siriane mund të nisin një ofensivë të re për të thyer rezistencën në Aleppon lindore, përpara se Donald Trump zyrtarisht ta marrë presidencën e SHBA-së, në janar.

Staffan De Mistura, iu bashkua ministrit të jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në thirrjen për përfundimin e bombardimeve në Siri dhe në Aleppo në veçanti.


Disa diplomatë evropianë kanë thënë se presidenti i Sirisë, Bashar al Assad mund të ndjehet i inkurajuar nga zotimi i Trump për të ndërtuar lidhje më të ngushta me Rusinë, duke nxituar drejt një fitoreje jetike në Aleppo.

Qyteti është shkatërruar dhe është qendra e luftimeve më të ashpra që prej fillimit të luftës civile gjashtë vjeçare.

Rreth 275 mijë civilë ndodhën ende në qarkun lindor.

Forcat pro qeveritare, ndërkohë, kanë lëvizur më thellë në Siri, më 23 nëntor, përmes ofensivës që është përkrahur nga fushata ajrore e Rusisë, raporton Rel.

Rimarrja e Aleppos lindore do të ishte fitorja më e madhe e qeverisë.