LAJMI I FUNDIT:

Oda Amerikane njofton “The Heritage Foundation” me mjedisin afarist në Kosovë

Oda Amerikane njofton “The Heritage Foundation” me mjedisin afarist në Kosovë

Një delegacion i organizatës amerikane “The Heritage Foundation” i përbërë nga Zëvendëspresidenti James Jay Carafano, si dhe Anthony Kim, Menaxher i Hulumtimeve dhe Redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike nga Instituti Davis për Siguri Nacionale dhe Politikë të Jashtme, vizitoi Odën Ekonomike Amerikane për të diskutuar lidhur me mjedisin afarist dhe të investimeve në Kosovë si dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy institucioneve në të ardhmen.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, njoftoi delegacionin lidhur me kontributin e Odës Ekonomike Amerikane në përmirësimin e mjedisit afarist në vend dhe përpjekjet e saj për të nxitur bashkëpunimin ekonomik ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre nga SHBA. Ai sqaroi se përkundër përpjekjeve dhe reformave të shumta të ndërmarra viteve të fundit, e të reflektuara edhe në Indeksin e Lirisë Ekonomike për vitin 2018, Kosova ende po çalon në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe ende mbetet shumë për t’u bërë.

Në anën tjetër, delegacioni nga “The Heritage Foundation” shpalosi të dhënat nga Indeksi Global i Lirisë Ekonomike, publikim ky i cili vlerëson 180 shtete të botës sipas indikatorëve të ndryshëm ekonomik. Gjatë vitit 2018, Kosova u radhit në vendin e 56, ndërsa është pozitiv fakti që në indeksin e vitit 2018 që mat lirinë ekonomike, Kosova rangohet shumë më mirë se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor si Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, dhe Bosnja e Hercegovina, por edhe ato me ekonomi më të përparuar si Franca, Turqia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia e Italia. Megjithatë analiza tregon se Kosova duhet medoemos të përmirësoj performancën e saj në fusha që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit në vend, në mënyrë që të arrihet një performancë edhe më e kënaqshme në vitet e ardhshme.

Të dyja organizatat u dakorduan që të rrisin bashkëpunimin në të ardhmen, në kontekst të organizimit të ngjarjeve të përbashkëta dhe ndarjes së informatave lidhur me mjedisin afarist dhe të investimeve në Kosovë, para bizneseve amerikane. /Telegrafi/