"Objektivi me Milanin është Scudetto" – Igli Tare tregon se cili lojtar që e bleu është keqardhja e tij më e madhe

Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare, ka folur hapur për ambiciet e tij në klubin ku u rikthye këtë verë pas një pauze dyvjeçare, si dhe për periudhat e tij të mëparshme te Lazio.
Në Samitin e Futbollit Social në Torino, ai tregoi historinë e kalimit nga futbollist te drejtori sportiv, vështirësitë, sukseset, por edhe një nga zhgënjimet më të mëdha të karrierës së tij.
Nga kontratë si lojtar, në zyrë si drejtor sportiv
Tare kujtoi momentin e papritur kur karriera e tij ndryshoi brenda një dite.
“Shkova në zyrat e Lazios për të nënshkruar si lojtar, dhe dola prej aty me një kontratë si drejtor sportiv. Presidenti Claudio Lotito ishte vizionar. Ai kuptoi gjëra për mua që unë vetë ende nuk i pranoja”, tregoi Tare.
Ai shtoi se edhe si futbollist kishte interes të jashtëzakonshëm për mënyrën se si funksiononte klubi: “Doja të dija çdo detaj. Fjalimi më i vështirë i jetës sime ishte ai ku duhej t’u thosha shokëve të ekipit se unë isha drejtori i tyre i ri sportiv”.

Lidhjet që kërkon të rikrijojë te Milani
Pas 15 viteve te Lazio, Tare tani synon të sjellë të njëjtën frymë kolektive te Milani.
“Te Lazio, sidomos nën Simone Inzaghin, u krijua një atmosferë familjare. Dua ta sjell këtë frymë edhe te Milani. Tashmë në Milanello po krijohet empati dhe respekt mes të gjithëve”, u shpreh ai.
Tare pranoi se projekti aktual është shumë i madh dhe revolucionar, duke treguar edhe për afrimet dhe largimet.
“Ndryshuam shumë. Nënshkruam me 19 lojtarë dhe u larguan 23. Kjo është një revolucion i vërtetë, por na lejon të ndërtojmë themelet e së ardhmes”, deklaroi shqiptari.

Objektivi? Scudetto – dhe asgjë më pak
Kur u pyet për synimet e Milanit këtë sezon, Tare ishte i qartë: “Do të isha gënjeshtar po të thosha se objektivi nuk është të fitojmë Scudetton. Duam majën dhe po ecim në rrugën e duhur. Kam dëshirë të fitoj trofe të rëndësishëm me këtë klub kaq të madh.”
Tare shpjegoi se qasja e tij në përzgjedhjen e lojtarëve është një kombinim i teknologjisë moderne dhe instinktive njerëzore.
“Jam fans i të dhënave dhe inteligjencës artificiale, sepse të japin një panoramë të gjerë. Por nuk mund të blesh instiktin për të kuptuar karakterin e një lojtari. Në afat të gjatë, të duhen të dyja”, tha ai.
Ai solli edhe një shembull të ndikimit të karakterit në fushë: “Milani solli një ‘djalë të vogël’ si Luka Modric, i cili sillet si lojtari më i ri në dhomën e zhveshjes. Të shohësh mënyrën se si feston, është fantastike”.

Keqardhja më e madhe: Ravel Morrison
Një nga momentet më të sinqerta të intervistës ishte kur Tare foli për dështimin me Ravel Morrison, i cili kishte talent, por nuk arriti të luajë.
“E doja shumë te Lazio. Sir Alex Ferguson fliste gjithmonë për të. Ishte talent i pastër, ndoshta më i madhi që kam parë. E solla që t’i jepnim një shans të dytë, por ishte e pamundur. Nuk patëm sukses”, deklaroi Tare.

Morrison, dikur supertalent i Manchester United, u transferua te Lazio falas në vitin 2015, por bëri vetëm tetë paraqitje për klubin italian, duke mos arritur kurrë të realizonte potencialin e madh që i atribuohej./Telegrafi/




















































