Nxënësit e SHFMU “Ilmi Bahtijari” nga fshati Blaç i Komunës së Dragashit kanë zhvilluar një vizitë edukative në disa prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Prizren, organizuar nga organizata “EC Ma Ndryshe”.

Qëllimi i kësaj vizite ishte ndërgjegjësimi i brezave të rinj për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore. Gjatë qëndrimit të tyre, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me monumente e artefakte historike që përfaqësojnë identitetin kulturor të qytetit.




Ata vizituan Urën e Gurit, Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, lokalitetin arkeologjik, Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, si dhe rrapin dhe mullirin në Marash. Në vazhdim, nxënësit u ndalën edhe në Muzeun Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit, ku u prezantuan me vlera të trashëgimisë materiale të qytetit, përcjell Telegrafi.

Përgjatë vizitës, ekspertët i udhëzuan nxënësit mbi historinë dhe rëndësinë e këtyre monumenteve, duke u ofruar rrëfime që i ndihmojnë të kuptojnë më mirë rolin e trashëgimisë në ndërtimin e identitetit kulturor.

Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, i cili zbatohet nga “EC Ma Ndryshe” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Telegrafi/