Ish-sulmuesi i Liverpoolit, Darwin Nunez, raportohet se mund të rikthehet në Ligën Premier. I lënë në hije nga Karim Benzema te Al-Hilal, 26-vjeçari është në radarët e Chelsea, Newcastle United dhe Tottenham, ndërsa synon një rikthim për të heshtur kritikët që dikur e etiketuan si dështim në “Anfield”.

Nunez thuhet se po konsideron seriozisht një rikthim sensacional në Ligën Premier këtë verë, pas një periudhe të trazuar në kampionatin arab.


Pas transferimit me bujë te Al-Hilal në muajin gusht, lëvizje që synonte t’i ofronte një fillim të ri larg presionit të madh të mediave britanike, sulmuesi uruguaian e ka gjetur veten në një moment vendimtar të karrierës.

Eksperienca e tij në Lindjen e Mesme nuk ka sjellë stabilitetin afatgjatë që ai kërkonte, duke bërë që disa klube të mëdha angleze ta rikthejnë në listat e tyre të dëshirave për afatin kalimtar.

Sipas ChronicleLive, Chelsea është shfaqur si një nga pretendentët kryesorë për shërbimet e tij, ndërsa vijon kërkimin për një sulmues qendror të besueshëm.

Megjithatë, “Blutë” nuk janë të vetmit në garë. Edhe Newcastle United dhe Tottenham raportohet se po monitorojnë situatën e tij, me synimin për ta rikthyer në futbollin anglez.

Të tre klubet e shohin Nunez si një bast me potencial të lartë, duke besuar se shpejtësia dhe forca e tij fizike mund të shpërthejnë në një ambient të ri taktik.

Pavarësisht se ka realizuar nëntë gola në 24 paraqitje këtë sezon, uruguaiani ka pasur vështirësi të bindë stafin teknik se meriton një vend titullari përpara Benzemas./Telegrafi/

telegrafi sport app