LAJMI I FUNDIT:

Nuk ndryshojnë masat kundër COVID-19 për gastronominë

Nuk ndryshojnë masat kundër COVID-19 për gastronominë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të mbajtur në mënyrë elektronike gjatë ditës së djeshme, ka marrë vendim për masat e reja kundër pandemisë COVID-19.

Sipas vendimit, thuhet se shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre deri në ora 21:30.


“Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 21:30. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00”, thuhet në vendim, shkruan Telegrafi.

“Ndalohet shërbimi në gastronomi në hapësirat e mbyllura. Qëndrimi i klientëve (shërbimi i ushqimit dhe pijeve) lejohet vetëm në hapësirat e hapura të lokaleve të gastronomisë. Lejohet shfrytëzimi i jo më shumë se 70 për qind e kapacitetit të hapësirës së hapur. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Kuptimi i shprehjes ‘hapësirë e hapur’ dhe ‘hapësirë e mbyllur’ ka të njëjtin kuptim me Ligjin 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit. Muzika lejohet vetëm deri në orën 21:00”, thuhet në dokument.

Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:00, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.

Kurse në pikën ku flitet për qendrat tregtare dhe operatorët e tjerë ekonomikë, nga data 27 shtator klientëve do t’iu kërkohet së paku një dozë e vaksinës ose testi negativ i COVID-19.

“Nga data 27 shtator 2021, klientët dhe stafi në qendra tregtare dhe qendra të thirrjeve [call center] duhet të posedojnë ndonjërën nga dëshmitë e cekura: Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë; Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik – IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve; Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë, në mënyrë që t’ju lejohet hyrja në objekt”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Në qendrat tregtare dhe qendrat e thirrjeve është e obliguar të caktohet një apo më shumë persona përgjegjës që do të kontrollojnë posedimin e ndonjërës nga dëshmitë e cekura.

Në kuadër të qendrave tregtare dhe operatorëve të tjerë ekonomikë, ndalohet përdorimi i këndeve të lojërave për fëmijë. /Telegrafi/