"Nuk mund ta bësh këtë, do të të shkatërrojmë": Flet njeriu që i preu hundën statujës së Zlatan Ibrahimovicit

Vandalizimi i statujës së Zlatan Ibrahimovic në Malmö ka qenë në qendër të vëmendjes për vite me radhë. Tani, personi që qëndron pas njërit prej akteve më të bujshme – prerjes së hundës së statujës së futbollistit legjendar – ka dalë publikisht për herë të parë.
Në dokumentarin e ri "Zlatan, Malmo dhe Dashuria e Thyer", i cili trajton marrëdhënien e prishur mes Ibrahimovicit dhe tifozëve të Malmo FF, një person anonim – me identitet të fshehur dhe zë të ndryshuar – pranon hapur vandalizmin.
“Në fakt, doja ta rrëzoja të gjithë statujën. Ideja ishte kjo: ‘Unë jam Zlatani, mund ta bëj këtë dhe ata do të më duan sërish.’ Jo, dreqi ta hajë, o njeri, ne do ta rrëzojmë statujën tënde”, shprehet ai.
Mospajtimet e tifozëve nisën në fund të vitit 2019, kur Ibrahimovic u bë bashkëpronar i klubit rival Hammarby. Kjo u konsiderua tradhti në Malmo dhe statuja e ngritur para stadiumit u shndërrua në objekt zemërimi.
Në muajt që pasuan, statuja u rrëzua disa herë, u spërkat me bojë, u “zbukurua” me një kapak tualeti dhe përfundimisht humbi hundën.
“Nuk do të largohesha pa dëmtuar diçka. Këto janë fjalët që i thashë shokut tim. Ai propozoi: ‘Le t’ia presim hundën.’ Dhe kështu bëmë”, kujton autori.
Sipas dokumentarit, pas aktit, autorët e festuan duke pirë birrë gjatë gjithë natës dhe duke bërë fotografi me trofeun e tyre të pazakontë.
Kostoja e vandalizmit për qytetin e Malmos (deri në mars 2023):
Sigurimi: 7,225 euro;
Heqja e grafiteve: 1,505 euro;
Zhvendosja dhe rinovimet e mëparshme: 10,710 euro;
Buxheti për riparime në vitin 2023: 29,750 euro.
Statuja u hoq në vitin 2020 për restaurim dhe aktualisht mbahet në një vend sekret. Megjithatë, autoritetet planifikojnë ta rikthejnë në Malmo, edhe pse ajo mbetet një simbol i debatueshëm në qytet. /Telegrafi/





















































