Arbër Hoxha pati një paraqitje të spikatur në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Anglisë, por nuk arriti të shënojë apo të asistojë në humbjen 2-0 të ekipit kuqezinj të dielën në “Air Albania Stadium” në Tiranë.

Sulmuesi shqiptar vlerësoi paraqitjen e skuadrës dhe u shpreh se rezultati nuk reflektoi performancën e ekipit.


“Besoj se në bazë të asaj që treguam në fushë, nuk e merituam të humbnim. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin në aspektin taktik dhe krijuam raste. Unë kisha dy mundësi për gol, por nuk arrita të shënoj. Anglia realizoi më pas – Kane nuk ishte aktiv për rreth 70 minuta, por më pas tregoi klasën e tij dhe shënoi. Është lojtar i madh”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se synon të vazhdojë me paraqitje të mira dhe të kontribuojë sa më shumë te Kombëtarja e Shqipërisë.

“Kam menduar të luaj kundër një kundërshtari një me një, që është forca ime, por nuk ia dolëm të shmangim humbjen. Shpresoj të vazhdoj me ritmin e mirë dhe të ndihmoj ekipin edhe më shumë në të ardhmen”, nënvizoi Hoxha.

Shqipëria tani do të pres shortin e play-offit për Kampionatin Botëror. /Telegrafi/

telegrafi sport app