LAJMI I FUNDIT:

Nuk duket ndonjë rrezik për depozitat në banka

Nuk duket ndonjë rrezik për depozitat në banka

Të gjitha bankat në Kosovë kanë likuiditet të lartë, kthim shumë të mirë të investimeve, janë të kapitalizuara mirë, prandaj asnjëra prej tyre nuk është përballë ndonjë situate që do të rrezikonte depozitat që mbajnë ato.
Qendra për Hulumtime Strategjike e Sociale – STRAS të mërkurën në një konferencë ka prezantuar hulumtimin “Siguria e depozitave në Kosovë- Ndikimi i FSDK-së në stabilitetin e sistemit bankar” dhe të gjeturat në këtë fushë.
Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, pasi bëri një vështrim për zhvillimet në sektorin bankar të vendit, ku theks të veçantë vuri te rritja e kreditimit dhe e depozitave, u ndal te siguria e depozitave dhe te funksionimi i sistemit që ndikon këtu.
“Janë katër shtylla të krejt këtij sistemi, ku përgjegjësi kryesore ka BQK-ja për mbikëqyrjen. Së fundit kemi edhe mundësinë për asistencë emergjente për likuiditet, që do të thoit se mund të ndërhyjmë në rast të rrezikut që mund të paraqitet te ndonjë bankë. Raste të tilla nuk kemi pasur deri më tash, e as që ka ndonjë indikacion se mund të jetë, pro megjithatë një mundësi e këtillë krijon besueshmëri dhe stabilitet në tregun bankar”, tha guvernatori Hamza.
Sipas tij stabiliteti reflekton në mundësitë e investimeve, përkatësisht kreditimit, i cili për synim të fundit ka nxitje e zhvillimit ekonomik.“BQK-ja si përgjegjëse vlerëson lart performancën dhe mënyrën e menaxhimit të Fondit për Sigurimin e Depozitave. Ky fond mund të jetë edhe shembull për shumë vende, meqenëse është duke u ndërtuar mbi baza të shëndosha. Ndërkaq, duhet pasur parasysh se siguria është faktori kryesor që ndikon në besueshmërinë ndaj sektorit, e kjo do të thoit edhe në rritjen dhe zhvillimin tij”, përfundoj guvernatori i BQK-së.
Sipas Avdullah Hotit, Ministër i Financave, stabiliteti i atribuohet Bankës Qendrore të Kosovës, si përgjegjësi për zhvillimin sektorit financiar, ku është edhe ai bankar. Ndërkaq, një sistemin i zhvilluar dhe stabil bankar mbetet mbështetje kryesore për zhvillimin ekonomik.
“Ne, si qeveri jemi të kënaqur me rritjen e aktivitetit kreditues të bankave, meqenëse kjo tregon që bankat po marrin përgjegjësinë për financimin zhvillimit, por na lehtësojnë mundësitë që ne të merremi më shumë me investimet kapitale në sektorin publik”, tha ministri Hoti.
Ai më tutje shtoj se qeveria do të fokusohet në krijimin e sigurisë më të madhe ligjore si për investimet që bëjnë bankat, por njëkohësisht edhe të krijoj mundësi për shfrytëzim sa më të lehtë të kredive, duke mos sjellë asnjë rrezik për sistemin.
“ Ndonëse jam i pakënaqur me rritjen e depozitave me afat të gjatë të maturimit, megjithatë, mendoj se janë duke u funksionuar mirë mekanizmat për sigurimin parasë së depozituesve. Këtu rol kryesor ka FSDK-ja, të cilin Ministria e Financave do ta mbështesë, varësisht nga nevoja që paraqitet”, përfundoj ministri Hoti.
Ibrahim Rexhepi, drejtor menaxhues i STRAS-it, gjatë prezantimit të studimit dhe të gjeturave, theksoj se bankat në depozita kanë mbi 2.7 miliardë euro, ndërsa kanë kredituar me mbi 2.0 miliardë euro. Këto shifra tregojnë se financimi i sistemit bankar kryesisht është i bazuar nga burimet e brendshme, apo nga parat që deponojnë , ose i kursejnë qytetarët dhe subjektet juridike në vend.
“Nuk mund të ketë stabilitet dhe qëndrueshme të sistemit bankar në asnjë vend, nëse nuk ka siguri për depozita. Jemi dëshmitar për zhvillimet jo aq të largëta në disa vende të Evropës, kur depozituesit me të madhe filluan t’i tërheqin paratë e tyre nga bankat, për shkak se kishin humbur besimin ndaj tyre. Për këtë arsye ndërtimi i sistemit të sigurimit të depozitave është i domosdoshëm dhe është një prej direktivave të Bashkimit Evropian. Ndonëse me një përvojë të shkurtër, Kosova ka ndërtuar sistemin për siguri dhe stabilitet në sistemin bankar, i cili bazohet në katër shtylla kryesore: ligjet dhe aktet nënligjore, mbikëqyrja nga Banka Qendrore e Kosovës, sistemi i kontrollit të brendshëm në bankat komerciale dhe sigurimi që bëhet përmes Fondit për Sigurimin e Depozitave. Funksionimi i këtij mekanizmi rrit besueshmërinë e qytetarëve dhe të subjekteve ekonomike ndaj bankave”, tha Ibrahim Rexhepi.
Në vazhdim ai shtoj se FSDK-ja ka një përvojë pesëvjeçare dhe deri më tani ka arritur të siguroj afër 500 milionë euro depozita, ose 18.7 për qind nga totali, përkatësisht 97.08 për qind në llogarive depozituese. Në fond janë afër 27 milionë euro, të cilat mund të përdoren në rast të paraqitjes së rrezikut, apo nëse ndonjë bankë humb licencën.
“Fondi duhet të synoj përmbushjen e kritereve që dalin nga Direktiva Evropiane. Ndonëse duket se është larg këtij synimi, mirëpo këtë nuk duhet parë vetëm përmes limiteve që kërkon ajo, por edhe nga ndërtimi i një sistemi që rrit sigurinë e depozituesve”, shtoj Rexhepi.
Në fillim limiti i depozitave të siguruar ishte 2,000 euro, nga viti 2013 ai u ngrit në 3,000 euro, nga vitit 2016 në 4,000 euro, kurse në vitin 2018 ai shkon në 5,000 euro.
Fehmi Mehmeti, zëvendësguvernator i BQK-së që në fillim të prezantimit të vet theksoj se bankat janë njëri prej sektorëve më joshës për investime. Këtu, sipas tij, ndikim kryesor ka pasur stabiliteti dhe zhvillimi i vazhdueshëm i këtij sektori.
“ Në funksion të kësaj vazhdimisht jemi duke e plotësuar bazën ligjore. Pastaj kemi manualin e ekzaminimit të rrezikut, ku në mënyrë të saktë definohen të gjitha përgjegjësitë, si edhe mënyra e mbikëqyrjes së sistemit bankar”, tha Mehmeti.
Ai potencoj se tashmë funksionon raportimi online dhe informimi i drejtpërdrejtë për të gjithë zhvillimet në treg.
“Kjo na mundëson për më shumë informata, por edhe perceptimin me kohë të situata me shkallë të lartë të rrezikut që mund të paraqiten. Për këtë arsye, kemi mekanizmin sigurues, përkatësisht fondin, ashtu që depozituesit me kohë të marrin depozitat”, përfundoj Mehmeti.
Violeta Arifi-Krasniqi, drejtoreshë menaxhuese e FSDK-së mirëpriti rekomandimet e dala nga studimi validojnë rezultatet e vlerësimit nga ekspertet ndërkombëtar te IADI-it dhe raportoi mbi progresin e përmbushjes së tyre, të cilat janë identifikuar si qëllime strategjike për zhvillim institucional te FSDK-se.

“FSDK është ne përfundim të projektit për zhvillim të sistemit për kompensim të depozitorëve “SKD”, me të cilin do te arrihet gatishmëria operacionale për kompensim të depozitorëve brenda shtatë ditëve– e cila adreson kërkesën e dalë nga Direktiva Evropiane dhe që përkrahet nga BERZH-i me donacion prej 255 mijë euro. Në shtesë për nevoja të likuiditetit FSDK ka marrë përkrahje në parim nga Ministria e Financave si garant për të siguruar linjë të dytë kreditore.
Bahrije Dibra nga KfW-ja tregoj për fillimet e ndërtimit të sigurisë së depozitave në Kosovë, proces që u zhvillua me shumë sfida, meqenëse ai u zhvillua gjatë krizës globale financiare.
“Vlerësoj se është ndërtuar një sistem i mirë, me një fond solid, e që nuk do të kisha pasur dëshirë që ai të përdoret për kthimin e depozitave, në rast nevoje”, tha Dibra.
Shkëndije Himaj, kryetare e Bordit të FSDK-së insistoj që hulumtimet e këtilla të përfshijnë edhe më shumë akord përbrenda sistemit. Janë banat komerciale që këtu kanë një rol të veçantë, prandaj duhet parë mënyrën e organizimit të sistemit ët brendshëm të sigurisë dhe të kontrollit, si edhe ndikimin konkrete që kanë në sigurinë e depozitave.
Agim Hasani nga NLB Banka kërkoi rritje edhe më të madhe të limitit të depozitave të siguruar, meqenëse, sipas tij, burim kryesor për financim të sistemit janë depozituesit vegjël, të cilëve duhet ofruar këtë siguri. /Telegrafi/