Mosab Hassan Yousef, djali i një prej figurave themeluese të Hamasit dhe ish-informator i agjencisë izraelite të sigurisë Shin Bet, ka shkaktuar reagime të forta në Shtetet e Bashkuara pas një fjalimi me deklarata të ashpra kundër myslimanëve.

Gjatë një samiti hebreo-amerikan të zhvilluar fundjavën e kaluar në Los Angeles, Yousef bëri thirrje që myslimanët të largohen nga Shtetet e Bashkuara, duke përdorur një gjuhë tejet fyese dhe denigruese.


“Unë nuk dua myslimanë në Amerikë. Dilni që këtej, shkoni në gropat e pisllëkut nga keni ardhur dhe reformoni vendet tuaja”, deklaroi ai. Fjalimi i tij u prit me duartrokitje nga një pjesë e audiencës, raportojnë mediat.

Yousef vijoi me deklarata edhe më të ashpra ndaj besimit islam. “Nuk më intereson fare Kurani, profeti juaj dhe gjithë besimi juaj. Më neveritni”, tha ai gjatë aktivitetit.

Samiti u organizua nga një grup hebrenjsh ortodoksë dhe u mbështet nga organizata të mëdha pro-Izraelit.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin edhe ambasadori izraelit në SHBA, Yechiel Leiter, si dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee.

Të dy diplomatët mbajtën fjalime gjatë aktivitetit, i cili tashmë është bërë objekt polemikash për shkak të deklaratave të Youssefit dhe reagimit të një pjese të publikut ndaj tyre.

Kush është Mosab Hassan Yousef?

Mosab Hassan Yousef është djali i madh i Sheikh Hassan Youssefit, një prej figurave themeluese të Hamasit. Ai u rrit në Bregun Perëndimor dhe, në moshë të re, u rekrutua nga shërbimi izraelit i sigurisë Shin Bet.

Sipas rrëfimit të tij, Yousef bashkëpunoi me Shin Bet për rreth një dekadë, nga viti 1997 deri në vitin 2007, duke ofruar informacione që, sipas tij, ndihmuan shërbimet izraelite në parandalimin e sulmeve dhe arrestimin e militantëve.

Më pas, Yousef u largua nga rajoni dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara. Vendimi i tij për të bashkëpunuar me Izraelin shkaktoi reagime të forta brenda familjes së tij, e cila e mohoi publikisht. Në SHBA, ai u konvertua në krishterim.

Historia e tij u bë e njohur ndërkombëtarisht përmes dokumentarit “The Green Prince”, të publikuar në vitin 2014. Filmi trajton jetën e Yousefit, bashkëpunimin e tij me Shin Bet dhe marrëdhënien e tij me ish-oficerin izraelit të inteligjencës, Gonen Ben Yitzhak.

Sot, Yousef është një prej kritikëve më të ashpër të Hamasit dhe një zë i fuqishëm kundër Islamit. Ai shfaqet rregullisht në debate, forume politike dhe aktivitete publike në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, ku ka bërë deklarata të shumta kontroverse për Hamasin, Islamin dhe konfliktin izraelito-palestinez. /Telegrafi/