Donald Trump po shqyrton privatisht mundësinë që të shpallë përfundimin e luftës me Iranin, ndërsa Pentagoni në të njëjtën kohë po zgjat në heshtje dislokimin e forcave amerikane në Lindjen e Mesme, raportoi të mërkurën “The Wall Street Journal”.

Sipas gazetës, ai ka diskutuar me bashkëpunëtorët e tij të lartë nëse duhet ta shpallë të përfunduar luftën me Iranin, një hap që presidenti thuhet se e mbështet.


Presidenti amerikan beson se ruajtja e presionit të fortë ekonomik përfundimisht do ta detyrojë Teheranin ose të çmontojë programin e tij bërthamor, ose të përballet me kolaps.

Shtetet e Bashkuara javën e kaluar nisën operacionin “Economic Outcast”, i cili synon burimet kryesore të të ardhurave të Iranit, përfshirë sektorët e naftës, transportit detar, aviacionit, arit, teknologjisë dhe aseteve digjitale.

Megjithatë, pavarësisht diskutimeve private për përfundimin e luftës, Pentagoni po zgjat dislokimin e forcave amerikane, çka tregon se konflikti mund të vazhdojë “thellë në vitin e ardhshëm”, sipas gazetës.

Ushtria amerikane ka rreth 50 mijë trupa dhe 19 anije luftarake në rajon, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe 13 destrojerë me raketa të drejtuara, në mënyrë që t’i sigurojë Trumpit fleksibilitet operacional.

Ai deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po përballen me Iranin për të mbrojtur Izraelin, Lindjen e Mesme dhe vendet perëndimore nga sulmet e mundshme.

“Po e bëjmë këtë për të ndihmuar Lindjen e Mesme. Po e bëjmë për të ndihmuar Izraelin. Po e bëjmë edhe për të ndihmuar veten, sepse pasi të shkatërrojnë Izraelin, gjë që do të dëshironin shumë ta bënin, e më pas Lindjen e Mesme, do të drejtoheshin drejt Evropës dhe më pas drejt disa prej qyteteve tona”, tha Trump.

Ai më herët kishte tentuar të qetësonte opinionin publik izraelit lidhur me përshkallëzimin e fundit me Teheranin.

“Izraeli nuk duhet të shqetësohet. E dini pse? Sepse unë jam president dhe do të kujdesem për Izraelin”, tha 80-vjeçari për televizionin izraelit KAN.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë të përshkallëzimit të ri të konfliktit, pas përfundimit të një periudhe qetësie që zgjati rreth një muaj.

Shtetet e Bashkuara gjatë fundjavës kryen sulme ndaj lëshuesve të raketave në ishullin iranian Larak. Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa drejt Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. /Telegrafi/