Pep Guardiola ka shprehur një “trishtim dhe mërzitje” të përzier me ironi ndaj politikës financiare të klubit të tij, Manchester City, duke theksuar se skuadra e tij është vetëm e shtata në Ligën Premier për sa i përket investimeve neto gjatë pesë viteve të fundit.

Duke folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit në Carabao Cup kundër Newcastle, trajneri spanjoll u referua statistikave të fundit.


“Ndjehem pak i trishtuar dhe i mërzitur sepse në shpenzimet neto gjatë pesë viteve të fundit ne jemi të shtatët në Ligën Premier. Këto janë fakte, jo opinione”, deklaroi ai.

Faktet që fjalin

Sipas të dhënave, Manchester City ka një investim neto prej afro 459 milionë euro për periudhën 2021-2026. Kjo i vendos “Qytetarët” pas gjashtë konkurrentëve të tjerë. Manchester United është i pari me 783 milionë euro, që përcillet nga Arsenali me 770 milionë euro.

Chelsea është i treti me 755 milionë euro, ndërsa pas tyre vjen Tottenham Hotspur me 666 milionë euro. I pesti është Newcastle United me 492 milionë euro. Para Man Cityt është edhe Liverpooli me shpenzime prej 487 milionë euro.

Statistika duket paradoksale, duke pasur parasysh reputacionin e Man Cityt si një fuqi financiare. Megjithatë, sekreti qëndron në menaxhimin e tregut.

Edhe pse klubi nga Manchester ka shpenzuar mbi 1.1 miliardë euro në transferime gjatë kësaj periudhe (duke u renditur i dyti pas Chelseat), ata ka gjeneruar të ardhur mbresëlënëse prej afro 640 milionë euro nga shitja e lojtarëve – siç ishte rasti me Julián Álvarez te Atlético Madrid – pa komprometuar asetet thelbësore të ekipit.

Të shitësh me mend” është art

Ndryshe nga disa konkurrentë, Man City ka kthyer shitjen e lojtarëve në një art. Kjo ka lejuar klubin të mbajë shpenzimet neto në një nivel relativisht të ulët, duke i dhënë Guardiolës një arsenal konkurrues pa ndryshuar thelbin e skuadrës.

Trajneri, megjithatë, duket se e përdor këtë statistikë për të theksuar një mesazh nën ironi.

Duke iu referuar gjashtë skuadrave që kanë shpenzuar më shumë, Guardiola tha: “Por, ashtu siç fitonim në të kaluarën sepse shpenzonim shumë, tani gjashtë ekipe duhet të fitojnë Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, sepse kanë shpenzuar më shumë në pesë vitet e fundit. (...) Paçin fat gjashtë ekipet që na kanë tejkaluar në shpenzimet neto gjatë pesë viteve të fundit!”.

Konteksti i transferimeve

Deklaratat e Guardiolës vijnë në një moment kur Manchester City po dëshmon përsëri aktivitet në tregun e dimrit. Ata janë shpenzuesit më të mëdhenj në Ligën Premier gjatë afatit janar, duke forcuar skuadrën me blerje si Marc Ghéhi dhe Antoine Semenyo.

Ky veprim tregon një strategji të qëndrueshme: të investosh në pikat kyçe duke ruajtur ekuilibrin financiar.

Megjithë “pakënaqësinë” e deklaruar, Guardiola duket se e çmon menaxhimin e klubit që ka krijuar një model të qëndrueshëm suksesi.

Mesazhi i tij mund të interpretohet si një mënyrë elegante për të ridrejtuar diskutimin publik drejt “fakteve” financiare, duke u larguar nga narativat e zakonshme që e paraqesin Man Cityn si një “makineri” të pafund financiare. Në fund të ditës, për trajnerin, suksesi matet me trofe, jo me shifra neto në bilanc. /Telegrafi/

telegrafi sport app