Normalizim i krimit në intervistë: Moderatorja serbe e përshkruan masakrën e Prekazit si "likuidim", thekson edhe vrasjen fëmijëve


Deklarata fashiste e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, për spastrim etnik në Kosovë, u dënua në Kosovë, rajon e në BE.
Por, gjatë intervistës së saj për Kuririn serb, pati edhe një moment tjetër ku normalizohej krimi.
Ishte moderatorja e emisionit, e cila, teksa intervistonte ministren serbe, e cila gjatë paraqitjes së saj tha se po të ishte në vend të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, e përshkroi masakrën e Prekazit si “likuidim” ndërkohë që përmendi edhe të miturit.
Gjatë intervistës ajo deklaroi:
“…nga ana tjetër, si pikë referimi merret edhe aksioni i policisë serbe në fshatin Prekaz i Poshtëm në vitin 1998, kur policia serbe likuidoi jo vetëm udhëheqësin e UÇK-së, Adem Jasharin, por edhe tërë familjen e tij, përfshirë të mitur dhe gra. Mbi 50 anëtarë të familjes Jashari humbën jetën.”
Duke përdorur termin "likuidoi" për ngjarjen e Prekazit ajo u mundua ta relativizojë sulmin në Prekaz si neutral ose operacional të një veprimi policor, ndërkohë që në aty u vranë dhjetëra civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.
Vetë moderatorja pranon në deklaratën e saj se mes viktimave kishte të mitur dhe gra, çka e bën edhe më të diskutueshëm përdorimin e një gjuhe që shmang karakterizimin e ngjarjes si masakër ndaj civilëve.
Për shumëkënd, një formulim i tillë rrezikon të relativizojë përgjegjësinë për vrasjen e anëtarëve të familjes Jashari, ndërsa intervista zhvillohej me një ministre serbe që kishte artikuluar qëndrime të ashpra ndaj Kosovës.
Masakra e Prekazit mbetet një nga ngjarjet më të rënda të luftës në Kosovë dhe një simbol i rezistencës, ku u vranë mbi 50 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar. Përdorimi i termave të tillë në raportimin e ngjarjeve të tilla vazhdon të jetë objekt debati për shkak të ndikimit që ka në mënyrën se si kuptohet dhe interpretohet historia.





































