Nkunku ka vendosur ku të luaj sezonin e ri, po pret marrëveshjen e dy klubeve

Christopher Nkunku ka vendosur të largohet nga Chelsea pas dy viteve qëndrimi në “Stamford Bridge”.
Mediumi anglez The Athletic raporton se sulmuesi francez është i hapur për një rikthim te ish-klubi i tij, RB Leipzig, gjatë këtij afati kalimtar veror.
Sipas gazetarit Sebastian Stafford-Bloor, Nkunku do të mirëpriste një rikthim në Bundesliga nëse interesi i Leipzigut për një transferim të mundshëm avancon.
27-vjeçari ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve këtë verë, përfshirë nga Gjermania, Anglia dhe Italia.
RB Leipzig është ndër skuadrat më të interesuara, por përballet me kufizime financiare për shkak të nevojës për të mbajtur pagat në nivele më të ulëta këtë sezon.
Situata financiare e klubit gjerman është ndikuar edhe nga fakti që nuk do të luajnë në garat evropiane për sezonin 2025-26.
Megjithatë, rikthimi i Nkunkus mbetet një mundësi reale nëse palët arrijnë një marrëveshje të favorshme për të dyja anët.
Chelsea po interesohet për transferimin e Xavi Simons nga Leipzig dhe Nkunku mund të përfshihet në marrëveshje. /Telegrafi/





















































