LAJMI I FUNDIT:

Nju Jorku ka vetëm edhe për gjashtë ditë rezerva me respiratorë

Nju Jorku ka vetëm edhe për gjashtë ditë rezerva me respiratorë

Guvernatori i Nju Jorkut tha të enjten se shteti i tij ka pajisje respiratore për të përballuar situatën për rreth një javë, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara me coronavirus në këtë shtet i është afruar shifrës 100 mijë.

”Sipas nivelit aktual të vënies në përdorim, ne kemi rreth gjashtë ditë ventilatorë në rezervat tona”, u tha Guvernatori Andrew Cuomo gazetarëve në kryeqytetin e shtetit, Albany.


“Kjo do të thotë se nëse shkalla e përdorimit, pra numri i njerëzve që vijnë në spitale dhe që kanë nevojë për respiratorë, nëse kjo normë vazhdon, në rezervat tona mbetemi me rreth gjashtë ditë (furnizime)”.

Guvernatori paralajmëroi se nëse rastet e COVID-19 pësojnë rritje brenda këtij afati kohor, ose nëse numri maksimal i parashikuar i rasteve tejkalon parashikimet ose shtrihet më shumë në kohë, shteti Nju Jork mund të përballet me mungesë të makinerive ndihmëse të frymëmarrjes.

Guvernatori ka punuar me ekipin e tij për të blerë 30 mijë respiratorë për shtetin e tij me një popullsi prej 19.5 milionë banorësh.

Gjysma e tyre do të dërgoheshin në qytetin e Nju Jorkut, i cili ka rreth 60% të rasteve të shtetit me coronavirusin.

Megjithatë, me rritjen e kërkesës në të gjithë botën, ka qenë e vështirë marrja e numrit të nevojshëm.

Nju Jorku është treguar krijues në përpjekjen për të shtrirë furnizimin e tanishëm me respiratorë – duke lejuar që respiratorët të modifikohen për të ndihmuar dy pacientë njëkohësisht – si dhe konvertimin e pajisjeve të anestezisë, të cilat gjithashtu mund të shtyjnë ajrin në mushkëritë e pacientëve.

Shteti gjithashtu ka anuluar të gjitha operacionet jo-urgjente për të çliruar ventilatorët ekzistues.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht mbi 235 mijë raste, ose thuajse një të katërtën e rasteve me coronavirus në botë, që numërohen në mbi 956 mijë.

Numri i viktimave në SHBA shkoi në mbi 5600 vetë të enjten, ndër to edhe një foshnje gjashtë javëshe në një spital në Konektikat.

Presidenti Donald Trump, i cili është kritikuar sepse fillimisht u përpoq të ulte në komentet e tij rrezikun nga virusi, ka mobilizuar reagimin e qeverisë federale për ta vënë nën kontroll epideminë.

Më shumë se tre të katërtat e amerikanëve janë nën urdhra për të reduktuar ose ndalur aktivitetin e përditshëm.

Në popullatën e ndikuar janë edhe dhjetëra mijëra të burgosur, të cilët u njoftuan të mërkurën se do të mbahen të mbyllur në qeli.

Parqe kombëtare, ndër to edhe Kanioni i Madh janë mbyllur për të mos lejuar turistë.

Qyteti i Nju Jorkut ka mbyllur pistat publike të basketbollit, në një kohë që përballet me goditjen më të rendë të epidemisë në Shtetet e Bashkuara. /VOA/